Vendosni fjalën kyçe....

“I kishin borxhe shumë njerëz”- Zhduket në ishullin e Rodosit biznesmeni shqiptar i fushës së ndërtimit


Zhduket një 46-vjeçar shqiptar në ishullin e Rodosit, në Greqi. Mediet e shtetit fqinj raportojnë se kontraktori i njohur i fushës së ndërtimit nga Shqipëria, i identifikuar si Dzani Topali, ka humbur gjurmët mbrëmjen e së dielës dhe ngjarja tanimë “po kthehet në një thriller”.

Punonjësit e policisë që po kryejnë hetimet thuhet se kanë gjetur makinën e tij tip “Honda CRV 4×4” me xhamat e hapur dhe pa çelësa në Kalythies, në një pikë mermeri të zonës.

Një dëshmitar ka treguar se e ka parë makinën e braktisur që prej mëngjesit të së hënës, ndërsa nga hetimet e kompanisë së celularëve u zbulua se celulari i tij ka rënë në heshtje që në mbrëmjen e së dielës.

Kontraktori 46-vjeçar i cili është baba i tre fëmijëve thuhet se ka ngrënë së bashku me dy bashkatdhetarë të tij dhe një djalë 10-vjeçar në një restorant në Falirak të hënën pasdite. Kështu ka dëshmuar një kamarier.

Përveç kësaj, ka një deklaratë nga një ushtar që e vendos atë në zonë në të njëjtën ditë dhe orë.

Siç shkruan gazeta “Dimokratiki tis Rodos”, duke qenë se për shkak të punës kishte llogari të hapura dhe po përpiqej të mblidhte borxhin, është për t’u habitur që ai nuk iu përgjigj një takimi që kishte paraditen e së hënës me një hotelier i cili do t’i paguante atij 30 mijë euro për punën që kishte bërë. Hotelieri thuhet se e kërkoi dhe kontaktoi me njerëz të njohur për të. Por shqiptari ishte zhdukur.

Një natë më parë Topali dyshohet se ka pasur një takim me një tjetër hotelier me të cilin kanë rënë dakord për shlyerjen e borxheve nga një projekt tjetër, i cili ka njoftuar autoritetet se në fund takimi i tyre është anuluar.

Kontrollohen të gjitha portat e daljes nga ishulli

Siç shkruan “Dimokratiki”, zhdukja e tij ka shkaktuar shqetësim te familjarët dhe miqtë. Bashkëshortja dhe vëllai i tij, të shoqëruar nga avokati i tyre, njoftuan Prokurorin Publik, drejtorin e Drejtorisë së Parë të Policisë dhe efektivët e Nëndrejtorit të Sigurisë në Rodos dhe AT Archangelos.

46-vjeçari kishte qenë në port pasditen e së dielës me një grup shokësh dhe ishte larguar në mbrëmjen e së njëjtës ditë për të takuar hotelierin.

Nga kontrolli i kamerave u zbulua se ai ishte nisur drejt zonës. Të gjitha portat e daljes nga ishulli u kontrolluan por asgjë nuk u zbulua.