Akt terrorist e ka quajtur kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ndërhyrjen e IMT-së në kompleksin ‘Prestige Resort’.
Gjatë një konference për shtyp nga selia e partisë, Meta tha se fadromat e IMT-së duhet të shkojnë më parë te inceneratori i Tiranës që nuk ka plotësuar asnjë kusht ligjor dhe vijon të grabisë shqiptarët.
Meta tha gjithashtu se arkitekt, ideator e përfitues i inceneratorëve është Edi Rama i cili kërcënon mediat dhe biznesin në vend që nuk janë të lidhura me Ramën e familjen e tij.
“Keni dëgjuar një argumentim qesharak që resorti ishte me leje por me kush dhe meqë nuk ishin plotësuar kushtet duhet të prishej në kulm të sezonit turistik ku brenda resortit ishin qindra pushues vendas e të huaj. Këtu kemi një vendim të qeverisë së tij për landfillin e inceneratorit të Tiranës. Atëherë pyesim pse nuk shkon IMT-ja te inceneratori i Tiranës që e ka lejen me kusht prej tre vitesh kur dihet që atje nuk ka as incenerator, asgjë nga ato që i ka pas detyrime sipas kushteve. Monumenti më i madh i korrupsionit me letra që ka arkitekt, ideator e përfitues kryesor ka Edi Ramën janë inceneratorët. Akti terroristi i sotëm drejtohet ndaj medias së lirë dhe grupit mediatik i cili nuk ka plotësuar vetëm një kusht. Ndërrimin e politikës editoriale që të bëhet kopje e ERTV-së. është akt terrorist ndaj pronës e sipërmarrjes në këtë vend ku ata që nuk janë të lidhura me Edi Ramën e familjen e tij vuajnë e sakrifikojnë shumë aktivitetin.” – tha Meta.