Përplasja/ Përfaqësuesit e ‘Prestige Resort’ nxorrën dokumentin me firmën e Ramës. Përgjigjet ministria: Manipulim i publikut, kushtet e lejes s’u plotësuan


Të paligjshëm e kanë cilësuar aksionin e IMT-së për prishjen e dy pishinave të kompleksit turistik Prestige Resort në Golem, përfaqësuesit ligjorë të biznesit në fjalë, në pronësi të Hysenbelliu Group si dhe mediat e lidhura me grupin, News24, BW e Panorama.

Ato kanë paraqitur një dokument duke deklaruar se objekti ka qenë me leje, krejtësisht i ligjshëm dhe me firmën e kryeministrit Rama. ata e kanë quajtur sulm politik me urdhët të kryeministrit Rama aksionin e IMT-së për të heshtur e kërcënuar median.

Këtij pretendimi i është përgjigjur Ministria e Brendshme e cila ka publikuar një dokument duke theksuar se dokumenti i paraqitur nga media është manipulim i opinionit publik.

Në reagimin e ministrisë thuhet se dokumenti në fjalë provon të kundërtën.

Sipas saj leja është dhënë me kusht pasi të plotësohej dokumenti tekniko-ligjor e të paguheshin taksat respektive, gjë që sipas ministrisë nuk ka ndodhur.

“Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik.  Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit.  Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse. Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave.” – thuhet në reagim.