Vendosni fjalën kyçe....

Polonia do padisë Gjermaninë, i kërkon 1.3 trilion dollarë dëmshpërblim për dëmet e Luftës së Dytë Botërore


Udhëheqësit polakë kanë dhënë një vlerësim të ri të dëmit që vendi pësoi nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e vlerësuar atë në 6.2 trilion zloty (1.32 trilion dollarë).

Gjatë një konference shtypi të enjten, e cila shënoi 83 vjet nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, kreu i partisë nacionaliste në pushtet të vendit Ligj dhe Drejtësi (PiS), Jaroslaw Kaczynski, njoftoi publikimin e një raporti mbi kostot që Polonia pësoi gjatë vitet e pushtimit nazist.

“Ne jo vetëm që përgatitëm raportin, por kemi marrë edhe vendimin për hapat e mëtejshëm.” – tha Kaczynski gjatë prezantimit të raportit, duke njoftuar se Varshava synon të kërkojë zyrtarisht dëmshpërblime nga Gjermania.

Ai shtoi se Varshava beson se Gjermania është e aftë të paguajë faturën dhe këmbënguli se masa do t’i shërbente ‘pajtimit të vërtetë polako-gjerman’, që do bazohej në ‘të vërtetën’. Kaczynski sugjeroi gjithashtu se vlerësimi aktual i dëmeve mund të mos jetë përfundimtar.

“Shuma që u prezantua u miratua duke përdorur metodën më të kufizuar, konservatore, ka mundësi që të rritet.” – tha politikani.

Ligjvënësit polakë vlerësuan më parë dëmet e shkaktuara gjatë Luftës së Dytë Botërore në 850 miliardë dollarë në vitin 2019, dhe ndërsa partia në pushtet PiS ka kërkuar vazhdimisht kompensim nga Gjermania që kur mori pushtetin në 2015, Polonia nuk kishte kërkuar kurrë zyrtarisht dëmshpërblime më parë.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë iu përgjigj kërkesës së Kaczynskit duke deklaruar se qëndrimi i Berlinit është i palëkundur dhe se e konsideron çështjen e reparacioneve të mbyllura prej kohësh.

Berlini argumenton se Polonia kishte humbur pretendimet për reparacione ndërsa ishte ende pjesë e Bllokut Sovjetik dhe se Berlini tashmë u kishte paguar kompensim anëtarëve të bllokut në vitet pas luftës.

Megjithatë, Kaczynski pohon se ‘Gjermania kurrë nuk ka dhënë llogari për krimet e saj kundër Polonisë’, duke vënë në dukje faktin se gjermanët e akuzuar për krime lufte jetuan pa u ndëshkuar në Gjermani pas luftës.

Vlerësohet se rreth 6 milionë polakë, përfshirë tre milionë hebrenj polakë, u vranë nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa pjesa më e madhe e industrisë, infrastrukturës dhe kulturës së vendit pësoi humbje të mëdha gjatë konfliktit gjashtëvjeçar.