Deputeti i PD-së Salianji ka dënuar aksionin e IMT-së në Prestige Resort mëngjesin e sotëm. Në një shënim në Facebook ai shkruan se regjimi i Edi Ramës nuk njeh as ligj e as norma dhe shkel e dhunon çdo gjë demokratike duke goditur këdo që mendon ndryshe.
Salianji thekson se ndërsa vendi po zaptohet nga miqtë e Ramës që po gllabërojnë çdo copë tokë në bregdet, Rama ka dhënë urdhër që të goditet një resort turistik në sezon duke përdorur institucionet shtetërore si lodra.
Deputeti demokrat tha se ky është mesazh mafioz qeveritar që shantazhon mediat e godet investitorët nëpërmjet abuzimit të aseteve shtetërore.
“Regjimi nuk njeh ligj dhe normë, shkel dhe dhunon çdo normë demokratike, përpiqet të dhunojë dhe godasë cilindo që mendon ndryshe! Ndërkohë që Shqipëria po mbytet nga kioskat e ndërtimeve pa leje dhe po zaptohet nga miqtë e regjimit çdo copë bregdet Edi Rama urdhëron sulmin ndaj “Prestig Resort” në sezon turistik, përdor institucionet shtetërore si lodra personale, pa paralajmërim, pa shkresë, në shkelje të ligjit dhe pa dhënë mundësitë e mbrojtjes dhe garancive ligjore dhe para gjykatës! Ky është mesazhi më i qartë i abuzimit shtetëror! Është mesazhi mafizoz qeveritar që godet investitorët, që shantazhon mediat nëpërmjet abuzimit me asetet shtetërore! Damka e turpit nuk i mbetet qeverisë së Ramës por dëmton dhe turizmin, tremb investitorët! Pas 20 vitesh politikë Rama kthehet me moton të shkatërrohen resortet të mbijnë kioskat! – shkruan Salianji.