Vendosni fjalën kyçe....

Vendet e G7-ës kërkojnë të vendosin një kufi për çmimin e naftës ruse


G7 thotë se dëshiron të harmonizojë vendosjen e kufirit të çmimit me sanksionet e BE-së për importet e naftës ruse.

Kufiri sipas ministrave të vendeve të G7 do të ndihmojë në luftimin e inflacionit duke i dhënë një goditje aftësisë së Moskës për të financuar luftën në Ukrainë.

G7 përfshin tre ekonomitë më të mëdha të BE-së, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, të cilat importojnë shumë më pak naftë nga Rusia se disa nga anëtarët e tjerë.

Hungaria i ka rezistuar përpjekjeve për të sanksionuar eksportet e naftës dhe gazit të Rusisë, duke rritur përqindjen e importeve të saj të naftës nga Rusia nga rreth 43% në nëntor 2021 në 64% në maj të këtij viti.

Në të njëjtën periudhë, importet e naftës ruse të Gjermanisë ranë nga 30% në 23%, ndërsa të Britanisë së Madhe ranë nga 11% në nën 4%.

Siç citon BBC, ministrat e G7 thanë se vendosja e kufirit do të reduktonte aftësinë e Rusisë për të “financuar luftën e saj të agresionit” në Ukrainë.

Ky kufi është projektuar gjithashtu për të kufizuar “ndikimin e luftës së Rusisë në çmimet globale të energjisë”.

Ai do të synojë të parandalojë kompanitë e transportit detar që të transportojnë naftë ruse përmes detit, përveç nëse ajo është blerë nën kufirin e çmimit.

Komisioneri i BE-së për Ekonominë Paolo Gentiloni tha se qëllimi është të zbatohet kufiri “në përputhje me afatin kohor të rënë dakord për futjen e paketës së gjashtë të sanksioneve, që do të thotë 5 dhjetor 2022 për naftën bruto dhe 5 shkurt 2023 për produktet e naftës”.

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen e përshëndeti planin, duke thënë se kjo “do të reduktonte ndjeshëm burimin kryesor të financimit të Rusisë për luftën e saj të paligjshme, duke ruajtur furnizimet në tregjet globale të energjisë duke mbajtur naftën ruse të rrjedhë me çmime më të ulëta”.

Por disa kanë shprehur shqetësimin se kufiri i çmimit nuk do të jetë i suksesshëm pa pjesëmarrjen e Kinës dhe Indisë, të cilat nuk janë në G7.

Përpara njoftimit, Kremlini paralajmëroi se vendosja e një kufiri çmimi për eksportet ruse të naftës do të shkaktonte një kundërpërgjigje nga Rusia.

“Kompanitë që vendosin një kufi çmimi nuk do të jenë ndër marrësit e naftës ruse.”– tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Ai shtoi se “miratimi i një vendimi të tillë do të çojë në destabilizimin e konsiderueshëm të tregjeve të naftës”.

Çmimet botërore të naftës dhe gazit janë rritur në mes të mungesës së energjisë të lidhur me luftën në Ukrainë – megjithëse çmimi i naftës ka rënë që nga kulmi i qershorit.

BE planifikon të vendosë një embargo ndaj naftës së papërpunuar ruse nga 5 dhjetori. Ai do të zbatohet për naftën e papërpunuar të dërguar me cisternë dhe për shumicën e furnizimeve me tubacione.

Sikurse raporton BBC, ndalimi i pjesshëm i BE-së për importimin e naftës ruse nga rrugët detare përfshin:

-Ndalimin e importit të naftës së papërpunuar nga 5 dhjetori;

-Produktet e naftës të ndaluara nga 5 shkurt 2023;

-parandalimi i financimit ose sigurimit të dërgesave të naftës deri në fillim të vitit të ardhshëm.

(Sanksionet përmbajnë përjashtime për naftën e importuar nëpërmjet tubacioneve për vendet e BE-së të varura prej tyre, si Sllovakia, Hungaria, Republika Çeke, Bullgaria dhe Kroacia).