Flukset e gazit rus përmes tubacionit Rrjedha Veriore 1 për në Gjermani do të mbeten të pezulluara përtej të shtunës pasi u zbulua një rrjedhje nafte, tha kompania shtetërore Gazprom.
Gazprom tha se rrjedhja u gjet në stacionin e kompresorit Portovaya dhe se deri në zgjidhjen e këtij problem furnizimet do të mbeten të pezulluara.
Sipas kompanisë, rrjedhja u zbulua gjatë punimeve të mirëmbajtjes në stacion të kryera së bashku me ekspertë të Siemens Energy.
Gazprom kishte njoftuar më 19 gusht se do të ndalonte rrjedhën ndërmjet të mërkurës, 31 gusht dhe të premtes, 2 shtatorit, për shkak të mirëmbajtjes rutinë.
Duke filluar nga qershori, Gazprom filloi të shkurtojë furnizimet e gazit natyror në tubacion.
Përpara se flukset të ndaleshin tërësisht, ato ishin në rreth 20 për qind të kapacitetit.
Pas njoftimit të Gazpromit, një zëdhënës i Ministrisë së Ekonomisë së Gjermanisë tha se Gjermania është më e përgatitur se më herët për ndalimin e gazit rus.
“Ne nuk kemi asnjë koment të veçantë për të bërë (për njoftimin e Gazprom), por ne kemi parë mungesën e besueshmërisë së Rusisë në javët e kaluara dhe kështu kemi vazhduar të marrim masa për të forcuar pavarësinë tonë nga importet ruse të energjisë,” tha zëdhënësi në një deklaratë.
“Këto janë kohë të vështira, por ne do të shtojmë përgatitjet tona. Duhen përpjekje të mëtejshme të mëdha, por ne jemi në rrugën e duhur për t’u marrë me situatën”, tha ai.
Zyrtarët gjermanë kanë pohuar vazhdimisht se frenimi i furnizimeve është një përpjekje e Moskës për të ndëshkuar Berlinin për qëndrimin e tij ndaj luftës në Ukrainë dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.