Kreu i Çeçenisë Ramzan Kadyrov e quajti veten “lideri me shërbimin më të gjatë” në mesin e guvernatorëve rajonalë në Rusi dhe më pas zbuloi se ai po mendonte të jepte dorëheqjen.
“Sot mora vesh se në fakt jam drejtuesi në detyrë ‘më jetëgjatë’ i një subjekti të Federatës Ruse. Unë kam 15 vjet që drejtoj republikën.”- thotë ai në një video të publikuar në Telegram, citon TASS. “Mendoj se ka ardhur koha para se të më dëbojnë. Ne tashmë kemi filluar ta mendojmë këtë.”
Në mbishkrimin e videos Kadyrov shtoi se beson që “ai meriton një pushim të hapur dhe të gjatë”.
Është e paqartë se çfarë do të bënte më pas Kadyrov, i cili është një nga figurat më të fuqishme në Rusi, nëse do të largohej.
Ramzan Kadyrov ka marrëdhënie të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin bën takime të shpeshta. Të dy u takuan për herë të fundit më 5 gusht në Soçi.