Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj e ka quajtur krim ankorimin e dy TEC-eve lundruese në Vlorë për prodhimin e energjisë.
Anijet do mbërrijnë në Vlorë në datën 8 shtator dhe do përdoren për prodhimin e energjisë elektrike.
Leskaj thotë se këto do anije do jenë një katastrofe ekologjike për Vlorën për shkak të ndotjes që do krijojë prodhimi i energjisë nga djegia e naftës bruto.
“Sekti Rama ekzekuton krimin e radhës në Vlorë me TEC-et lundruese.
Në datën 8 shtator TEC-et lundruese në anije mbërrijnë në Vlorë.
Një katastrofë e vërtetë ekologjike, njerëzore e ekonomike për Vlorën, si rrjedhojë e ndotjes, e cila do të krijohet nga djegia e naftës bruto, pikërisht në gjirin turistik të Vlorës, duke asfiksuar industrinë e turizmit aty, duke ndotur ajrin, dëmtuar florën e faunën, duke zhdukur plazhet. Për të gjithë ata që e njohin Vlorën, Laguna e Nartës dhe Pylli i Sodës, dy pika të atraksionit turistik e ekonomik do të zhduken”-shkruan deputeti i PD.
Leskaj shkruan edhe për kosto të lartë ekonomike, që sipas tij shteti do paguajë 63 mijë dollarë në ditë për 2 vite për prodhimin e energjisë nga dy anijet.
“Kostoja ekonomike është shumë e lartë: shteti do t’i paguajë kompanisë 63.000 $ në ditë për 2 vjet.
Natyrisht këto para do të dalin nga xhepat e qytetarëve shqiptarë, të cilët do të varfërohen edhe më shumë.
Natyrisht që këtë ndotje të mjedisit, këtë dëm të turizmit, këtë korrupsion e shpërdorim sekti Rama përsëri do ta hedhë mbi shpinën e qytetarëve shqiptarë!
Një skemë e ngjashme si me aferat korruptive dhe prokurimet publike që kryen sekti Rama.
Kësaj katastrofe, kësaj marrëzie, kësaj afere korruptive qytetarët e Vlorës dhe jo vetëm duhet t’i thonë NDAL!
Prandaj është koha që të gjithë qytetarët e përgjegjshëm të Vlorës dhe jo vetëm, duhet që haptazi dhe pa rezerva të mbështesin shoqatat e ambientalistëve, intelektualët e angazhuar ose jo dhe shoqërinë civile, të cilat po ngrenë zërin duke sensibilizuar opinionin qytetar kundër një marrëzie të tillë”-thekson Leskaj.