Vendosni fjalën kyçe....

Prodhimet bujqësore, sfidat e eksportuesve


Ashtu si hallkat e tjera të bujqësisë, zinxhiri i eksportit po përballet me vështirësi shtesë këtë vit, që po vijnë nga rritja e kostove në transport, paketim dhe forcën e punës me 60% të kapaciteteve. Bizneset eksportuese të zarzavateve po përballen me sfida shtesë, që lidhen kryesisht me cilësinë e produkteve të prodhuara nga fermerët shqiptarë, madhësinë e fermës që nuk krijon kushtet për siguri dhe cilësi të produkteve dhe rritjen e kostove në të gjithë zinxhirin e furnizimit, deri në mbërritjen e produkteve në tregjet e huaja. Kompanitë po përballen edhe me skarco të larta dhe humbje nga kursi i këmbimit. Zgjerimi në tregjet perëndimore, sfida e eksportuesve

Bizneset e eksportit të prodhimeve bujqësore, zarzavateve dhe frutave, pjesë e rëndësishme e zinxhirit të vlerës, janë zgjeruar vitet e fundit prej rritjes së investimeve në magazina frigoriferike, logjistike etj., por së fundmi, shtrenjtimi i çmimeve të naftës, problemet me linjat e transportit dhe efektet negative të rënies së euros po ndikojnë negativisht te fitimet e tyre.

Këtë vit, prodhimi i bostanit nuk ishte cilësor dhe, për më tepër, kostot e fuqisë punëtore, ambalazhit janë rritur shumë, tha Ruzhdi Koni një prej operatorëve më të mëdhenj në sektorin e eksportit të prodhimeve bujqësore.

Veç të tjerash, këtë vit, kompanitë e transportit, kishin mangësi dhe shpesh ofruan transport jashtë standardit, duke dëmtuar disa herë perimet dhe zarzavatet shqiptare që do të shkonin në tregjet e huaja, tha z. Koni. Mungesa e shërbimeve të sigurimit për eksportin, prodhimi pa standard dhe skarcot e larta janë probleme ekstra për eksportuesit shqiptarë të prodhimeve bujqësore.

Sektori i eksporteve përballet me sfida shtesë që lidhen kryesisht me cilësinë e produkteve të prodhuara nga fermerët shqiptarë, madhësinë e fermës që nuk krijon kushtet për siguri dhe cilësi të produkteve dhe rritjen e kostove në të gjithë zinxhirin e furnizimit deri në mbërritjen e produkteve në tregjet e huaja, tha Laurat Mulliqi, kryetari i Shoqatës Shqiptare të Fruta-Perimeve, dhe administrator i kompanisë “Tomato-Al”.

Sipas tij, fermat janë jashtë kontrollit të agjencive shtetërore ligjzbatuese që produktet e prodhuara prej tyre përmbushin standardet e sigurisë ushqimore dhe cilësisë dhe kjo bëhet shkak për shumë skarco dhe humbje për kompanitë e eksportit.

Eksportuesit pohuan se, këtë vit, çmimet në tregjet ndërkombëtare janë shtrenjtuar ndjeshëm, por edhe kostot e biznesit të transportit janë rritur me ritme shumë të larta, që nga çmimet e grumbullimit ndaj fermerëve, kostot e ambalazhit, fuqisë punëtore dhe transportit.

Në zonat më prodhuese në vend janë edhe rreth 23 kompani që merren me grumbullimin dhe shitjen e perimeve të serrave në qarqet e Fierit dhe Beratit. Shumica e tyre nuk kanë magazina frigorifer dhe linja përzgjedhje, pastrimi dhe ambalazhimi, me ndonjë përjashtim.

Fermerët e intervistuar ankoheshin se eksportuesit u imponojnë atyre çmime shumë të ulëta. Fermeri Stavri Gjini pohoi se shpesh eksportuesit koordinohen, duke iu ofruar atyre çmime të ulëta, me qëllim që të rrisin fitimet, ndërsa fermerët, duke qenë të vegjël dhe të paorganizuar në kooperativa/grupe, nuk kanë fuqi të negociojnë për çmimin.

Vetë eksportuesit shpjegojnë se ata blejnë nga fermerët me çmime të ulëta, për shkak se në tregjet e eksportit shesin me çmime të ulëta, zakonisht pa kontrata paraprake.

Burimi: INSTAT

Rritja e çmimeve prek edhe eksportuesit

Vala e kostove të larta ka prekur edhe aktivitetin e eksportuesve shqiptarë të perimeve. Çmimet janë rritur për të gjitha inputet. Për shkak të mungesës së prodhimit të mjaftueshëm, çmimet me të cilat fermerët kanë shitur këtë vit prodhimet, sidomos domaten e parë, ka qenë dyfishi i vitit të kaluar.

Mariglen Ziu, fermer i cili ka gati një hektar serrë në zonën e Samaticës në Berat, tha se domatja prodhim i parë, këtë vit u shit me 160 lekë për kilogram, nga rreth 60 lekë vitin e kaluar, ndërsa në fund të sezonit në korrik, u shit me 60 lekë, nga 30 lekë vitin e kaluar.

Fermeri Ziu tha se shumat e fituara nuk mjaftojnë për të shlyer borxhet që u krijuan vitin e kaluar dhe për të mbuluar kostot e larta të inputeve.

Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Fruta-Perimeve, dhe administratori i kompanisë “Tomato-Al”, z. Mulliqi, thotë se kostot e transportit janë rritur me rreth 60-80% këtë vit. Për shembull, transporti me trailer në Suedi është rritur nga 2500 euro në vitin 2021 në rreth 4500 euro këtë vit. Kostot e forcës punëtore janë rritur me 25%, kostot e paketimit, me rreth 50%.

Mulliqi shprehet se norma e fitimit në biznesin e eksporteve të perimeve dhe frutave llogaritet rreth 10%, por shpeshherë, situata bëhet kritike, për shkak dhe të ndihmës që duam t’iu japim fermerëve, normat shkojnë afër zeros.

Burimi: INSTAT

Vala e kostove të larta në prodhim, vështirësia e parë për eksportuesit

Ecuria e eksportit të fruta-perimeve po ndikohet nga sërë faktorësh përgjatë zinxhirit të vlerës, nga fermeri deri te konsumatori final, jashtë apo brenda vendit, thotë z. Mulliqi. Zinxhiri i prodhimit bujqësor, që nga prodhuesit e deri te konsumatori final prej rreth një viti po përballet me vështirësi.

Sipas z. Mulliqi, kostot e inputeve janë rritur mbi 50% (plehrat ushqyese, preparatet për mbrojtjen e bimëve, fidanë, farëra). Janë rritur me mbi 35% kostot e ndërtimit të serrave (plastmasa, struktura e ndërtimit), çmimeve të makinerive dhe pajisjeve të nevojshme në fermë.

Kosto e forcës punëtore është rritur me rreth 25% dhe ka vështirësi në gjetjen e punëtorëve dhe njerëzve të kualifikuar në bujqësi, si agronomë dhe specialistë të tjerë të fushës, shpjegoi Mulliqi. Ai e konsideron problem të madh rënien e interesit të të rinjve për të punuar në bujqësi dhe tendencën në rritje për të migruar nga fshati në qytet, apo jashtë vendit.

Shqipëria, shprehet ai, është një vend importues i plotë i lëndëve të para në bujqësi, gjë e cila rrit ndjeshëm kostot në bujqësi krahasuar me vende të tjera fqinje si Italia dhe Greqia, ku shumë prej inputeve prodhohen në vend dhe shkojnë me kosto më të ulët te fermeri.

Normat e interesit të aplikuara nga kompanitë e mikrofinancës dhe bankat vazhdojnë të jenë të larta dhe me nivel të ulët financimi.

Burimi: INSTAT

Fitimet po gërryhen nga kursi i këmbimit

Forcimi i mëtejshëm i Lekut në këmbim me Euron ka ndikuar negativisht në të ardhurat e eksportueseve të prodhimeve bujqësore.

Duke qenë se të ardhurat e tyre janë në Euro dhe pagesat brenda vendit në Lek, një Euro më i dobët do të thotë më pak lekë për biznesit e eksportit. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit Euro-Lek në gjysmën e parë të vitit 2021 ishte 123 lekë, ndërsa në muajt qershor deri në korrik 2022, kursi mesatar ishte rreth 118 lekë.

Këmbimi me 5 pikë më pak i Euros po gërryen fitimet me rreth 10%, – tha Koni.

Burimi: INSTAT

Humbje kolosale nga mungesa e sigurimit të eksportit

Perimet dhe frutat janë artikuj delikatë që mund të dëmtohen lehtësisht nga vonesat në dogana, ose nga mungesa e kushteve të duhura në transport.

Për këtë arsye, në Europë dhe rajon ka një instrument financiar që i mbron eksportuesit nga këto humbje, i cili është shërbimi i sigurimit të eksportit (Export Credit Insurance).
Zoti Mulliqi nga Shoqata e Eksportuesve tha se, asnjë subjekt nuk e ofron këtë shërbim, ndërsa në vendet në rajon dhe Europë shërbimi mbron eksportuesit nga mospagesat nga klientët që importojnë.

Si rrjedhojë, shumë eksportues kanë humbur vlera të mëdha financiare nga klientë që kanë marrë mallin, por nuk kanë paguar. Këto humbje llogariten në 5 vitet e fundit ndoshta rreth 50 milionë euro, para këto të paguara nga xhepi i eksportuesve, – tha ai.

Burimi: INSTAT

10% e furnizimeve janë skarco

Eksportuesit ankohen se prodhimet shqiptare kanë norma të larta skarco në raport me fermat në rajon dhe Europë. Për shkak të organizimit të prodhimit në ferma të vogla, prodhimi nuk është i standardizuar e për rrjedhojë, ka shumë firo.

Gati 10% e grumbullimeve rezulton skarco nga procesi i seleksionimit dhe i paketimit. Normat e firove janë të larta ndër fermerët shqiptarë, për shkak se përdorin fara të ndryshme dhe aplikojnë trajtime të ndryshme për rritjen e një varieteti.

Shpesh ndodh që të kthehet një kamion i tërë me furnizim mbrapsht, për shkak të vetëm një arke, e cila nuk është në standard.

Burimi: INSTAT

Sfida, orientimi i prodhimit drejt vendeve të zhvilluara

Sfida dhe objekti i shumë eksportuesve në katër vitet e fundit ka qenë që të orientojnë eksportet e fruta-perimeve nga vendet ballkanike drejt tregjeve me vlerë të lartë si Austri, Gjermani, Holandë, Zvicër, Angli, Suedi e më gjerë, thotë z. Mulliqi.

Në një studim të fundit për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, Banka Botërore vuri në dukje se Shqipëria ka potenciale të pashfrytëzuara në produktet bujqësore, por për disa kultura ka mundësi që fitimet të rriten më mënyrë më të shpejtë.

Për shembull, i njëjti kultivar i domates, nga Shqipëria eksportohet me një vlerë të ulët, jo më shumë se 0.5 dollarë për kilogram, ndërsa nga Italia, eksportohet në tregjet e Britanisë së Madhe me 2.4 dollarë për kilogram. Me të njëjtën sasi dhe lloj domatesh, fermerët shqiptarë do të trefishonin fitimet nëse do të zhvendosnin eksportet nga rajoni drejt tregjet të zhvilluara si Gjermania, Franca, Zvicra, Austria, SHBA etj.

Sipas certifikimeve ndërkombëtare të specializuara për cilësinë, domatja mesatare është vlerësuar me konkurrueshmëri mbi mesataren dhe është një nga prodhimet më të denja për të gjetur tregje të reja eksporti në vendet e zhvilluara.

Mirëpo z. Mulliqi, nga Shoqata e Eksportuesve, shprehet se, procesi dhe sfida nuk ka qenë e lehtë, për shkak të strukturave dhe madhësive të vogla të fermave dhe kostove përkatëse.

Disa prej eksportuesve, falë dhe ndihmës nga donatorë si Ambasada Zvicerane, mbi modelet e bashkëpunimit Fermerë – Eksportues po bëjnë të mundur që të certifikohen sa më shumë fermerë me GLobalG.A.P. Certifikimi është një kërkesë e rrjeteve të mëdha të supermarketeve në Europë.

“Në këtë drejtim, ne si eksportues kemi investuar pa rënduar fermerin, duke mbuluar kostot e certifikimit në grup të fermerëve tanë, kemi mbuluar falas kostot e trajnimit dhe këshillime agronomike. Kemi marrë përsipër analizat e tokës, ujit, produkteve dhe kosto të tjera që lidhen me infrastrukturën e fermave, për të plotësuar kërkesat e standardit” – tha z. Mulliqi.

Falë përpjekjeve të mësipërme të eksportuesve është rritur sipërfaqja e prodhimeve të certifikuara nga 40 hektarë në 2018-n në rreth 500 hektarë në 2021-2022. Kjo ka dhënë efektin e parë, së bashku me përpjekjet me investime në marketing dhe përmirësimit të cilësisë në bashkëpunim me fermerët tanë.

Operatori më i madh i eksportit, “Doni Fruits”, raportoi rënie 12% vitin e kaluar

Kompania më e madhe e eksportit të perimeve dhe zarzavateve, “Doni Fruits”, pas një rritje sistematike të të ardhurave vitet e kaluara, për shkak të zgjerimit të eksportit dhe sasive, gjatë vitit 2021 raportoi rënie të të ardhurave.

Të dhënat nga bilanci zyrtar, të dorëzuara në Tatime, tregojnë se kompania kishte të ardhura në vlerën e 930 milionë lekëve, me një rënie 12% në raport me vitin e pandemisë 2020.

Burimet nga kompania pohuan se zinxhiri bujqësor që nga prodhimi, magazinimi, përpunimi dhe eksporti u përball me vështirësi gjatë vitit 2021, të cilat janë shtuar edhe më tej në vitin 2022. “Doni Fruits”, e cila furnizon me fara shumë fermerë në zonë, thotë se, ka një rënie të ndjeshme të shitjes së farave dhe inputeve që tregojnë se, prodhimi do të jetë më i ulët në këtë sezon.

Pak vite më parë, kompania “Doni Fruits” realizoi një investim rreth 8,5 milionë euro në ngritjen e një njësie moderne grumbullimi dhe magazinimi të perimeve dhe frutave për eksport në Këmishtaj të Lushnjës. Kompania është më e madhja në sektorin e eksportit të prodhimeve bujqësore dhe e vetmja që eksporton në tregjet e BE-së.

Kompanitë e eksportit, përveçse blen produkte nga fermerët, i furnizojnë ata me fara dhe japin shërbime konsulente, në mënyrë që të njehsohet edhe prodhimi për eksport sipas kërkesës. Furnizimi me fara dhe fidanë, në fakt, është njëfarë kreditimi, pasi iu zbriten nga çmimet kur grumbullojnë prodhimet finale.

Për të siguruar qëndrueshmëri të aktivitetit, eksportuesit lidhin kontrata paraprake me fermerët. Mirëpo shumica e fermerëve ngurojnë të punësojnë me kontrata afatgjata, pasi mendojnë se çmimet e negociuara paraprakisht nuk janë në favor të tyre.

Eksportet rriten, por jo prodhimi

Eksportet e prodhimeve të fushës, perimeve dhe zarzavateve në 7-mujorin 2022 u rritën me 6.8% në sasi. Operatorët e tregut pohuan se rritja nuk erdhi nga gjenerimi i prodhimit, por nga rritja e kërkesës për eksport nga jashtë.

Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare për produktet ushqimore e bëri më tërheqëse kërkesën për prodhimet vendase, për shkak edhe të çmimeve më të lira në raport me vendet e tjera. Të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto tregojnë se sektori i bujqësisë nuk shënoi rritje në tremujorin e parë të vitit 2022.

Gjatë 7-mujorit 2022 u eksportuan 102 mijë tonë zarzavate, kryesisht domate, kastravec dhe bostan. Kushtet e motit me lagështirë dhe diell kanë favorizuar prodhimin e domates në serra dhe fushë këtë vit. Bashkë me përmirësimin e varieteteve të domates për serrat, këtë vit prodhimi për njësi ishte më i lartë, tha z. Koni.

Gjithsesi, ritmet e rritjes së eksportit të perimeve në sasi kanë rënë në dy vitet e fundit 2021 dhe 2022. Në 7-mujorin 2022, sasia e perimeve të eksportuara ishte vetëm 6,7% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit 2021, ndërsa në 7-mujorin 2021, rritja ishte 2.4%. Në vitin e parë të pandemisë 2020, kur kulmuan kufizimet në lëvizje, eksportet e perimeve u rritën me 15%, ndërsa në vitin 2019, në raport me vitin 2018, rritja ishte 21%.

Teksa rritja në sasi ishte më e butë, eksportet në vlerë ishin më të larta këtë vit. Në 7-mujorin 2022, vlera e eksporteve arriti në 9,6 miliardë lekë, me rritje 23.6% në raport me 7-mujorin 2021. Eksportuesit pohojnë se rritja në vlerë vjen kryesisht prej çmimeve më të larta në tregjet ndërkombëtare.

Fermerët pohojnë se këtë vit i kanë shitur me shtrenjtë prodhimet e tyre, por fitimet e sezonit nuk mjaftojnë për të shlyer borxhet që u akumuluan vitin e kaluar dhe për të përballuar kostot e larta të prodhimit të krijuara nga rritja e çmimeve të inputeve.

Eksportet e frutave patën ecuri më të mirë këtë vit, duke u rritur me 16% në sasi në raport me vitin e kaluar, ndërsa në vlerë rritja ishte 5.4%.

Eksportet e prodhimeve bujqësore në vendin tonë dominohen nga prodhimet e serrave dhe kryesisht domates, kastravecit dhe bostanit, ku Shqipëria është konkurruese për shkak të kushteve klimatike që nxjerrin një prodhim më të hershëm në treg.

Importet e zarzavateve rriten me 44% në janar-korrik 2022

Në janar-korrik 2022, eksportet e zarzavateve në sasi u rritën me rreth 6%, ndërsa importet, me 44%. Pas një rënie sistematike vitet e fundit, importet e zarzavateve kanë shënuar rritje jo të zakontë në vitin 2022, duke sinjalizuar se, konsumi i prodhimeve vendase është duke u zëvendësuar me shpejtësi nga prodhimet e huaja.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se, në janar-korrik 2022 u importuan rreth 29 mijë tonë zarzavate, nga rreth 20 mijë tonë vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, ose rreth 9 mijë tonë më shumë. Kanalet e importit të produkteve bujqësore janë rigjallëruar.

Tani, në të gjithë tregjet e pakicës, në kulmin e prodhimeve vendase, gjen domate të paketuara nga Greqia e Italia. Më parë funksiononin disa kufizime për të mbrojtur prodhimin vendas, por këtë vit, mallrat e importit, të tilla si domate, patate e disa lloj perimesh të tjera kanë hyrë në tregun tonë si asnjëherë vitet e fundit.

Edhe pse eksportet e zarzavateve vendase po rriten, përqindja e tyre është më e ulët se rritja e importeve që po vjen në këto produkte.

Operatorët tregtarë pohuan se prodhimet bujqësore vendase, sidomos ato të serrave ishin më të kufizuara në sasi këtë vit, teksa rritja e eksporteve u ndikua nga shtimi i numrit të kontratave me jashtë për eksportin e tyre. Si rrjedhojë e rënies së prodhimit dhe rritjes së eksporteve, një pjesë e nevojave për konsum të brendshëm po plotësohen me import.

Bujqit në zonën e Myzeqesë pohojnë se këtë vit, çmimet e eksporteve ishin më të larta, por sasia ka qenë e ulët, për shkak se një pjesë e serrave nuk u mbollën nga çmimet e larta të inputeve./ Blerina Hoxha

VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Revista Monitor