Vendosni fjalën kyçe....

Ruajtja e gazit nuk mjafton që BE-ja ta ‘kalojë rehat’ dimrin – Reuters


Objektet e ruajtjes së gazit të mbushura plotësisht mund të mos jenë të mjaftueshme për të mbështetur vendet evropiane gjatë sezonit të ardhshëm të ngrohjes, raportoi Reuters, duke cituar analistët.

Sipas llogaritjeve të Aurora Energy Research, magazinat e bllokut mund të sigurojnë gaz të mjaftueshëm për deri në 90 ditë kërkesë mesatare.

Modelimi nga firma e inteligjencës së të dhënave ICIS tregon gjithashtu se rezervat e rajonit mund të ‘thahen’ deri në mars. Për këtë arsye analistët pajtohen se konsumi i gazit duhet të pakësohet në mënyrë që të shmangen mungesat.

“Për të përballuar këtë gjendje krize, ulja e kërkesës do jetë edhe më e rëndësishme se magazinimi.” – u citua të thoshte Simone Tagliapietra, një anëtar me peshë në institutin ‘Bruegel’.

Të dhënat e ICIS tregojnë se, nëse konsumi zvogëlohet 15% nën mesataren pesëvjeçare çdo muaj, blloku mund të ketë ende 45% të rezervave të gazit të mbetura në pranverë, nëse Rusia vazhdon furnizimin me gaz në rajon me vëllimet e saj të tanishme dhe 26% nëse Rusia ndalon dërgesat në tetor.

Për më tepër, dështimi i BE-së për të kursyer gazin këtë dimër do ndikonte në nivelet e ruajtjes së vitit të ardhshëm. Sipas Institutit të Studimeve të Energjisë në Oksford, nëse Rusia shkurton flukset e gazit dhe BE-ja i shterron rezervat e saj gjatë sezonit të ardhshëm të ngrohjes, depot e vitit të ardhshëm do të zbrazen që në nëntor, para se sezoni i ngrohjes të ketë hyrë plotësisht.