Vendosni fjalën kyçe....

“Rusia s’është më partner i besueshëm energjetik” – Kancelari gjerman


Kancelari gjerman Olaf Scholz tha të dielën se Rusia nuk mund të konsiderohet një furnizues i besueshëm i energjisë dhe akuzoi Moskën për shkelje të detyrimeve të saj kontraktuale.

Duke folur në një konferencë shtypi me liderët e partive nga të Gjelbrit dhe FDP, ai tha se Moska ishte gjithmonë një partner i besueshëm energjetik ‘edhe gjatë Luftës së Ftohtë’, por se rregulli nuk zbatohet më.

Sipas kancelarit, ndikimi i konfliktit të Ukrainës dhe sanksioneve të lidhura me të po ndihet fort në Gjermani, por Berlini do vazhdojë të mbështesë Kievin kundër Rusisë.

Scholz pret që Gjermania të kalojë një periudhë të vështirë, por shprehu besimin e tij se kombi do e përballojë krizën e energjisë gjatë sezonit të ardhshëm të dimrit.

Gjermania po përballet me problemet e furnizimit me gaz natyror nëpërmjet Nord Stream 1, i cili është mbyllur tërësisht që nga 31 gushti. Tubacioni i gazit natyror nën Baltik funksiononte me 40% të kapacitetit nga qershori e në vazhdim, duke siguruar rreth 67 milionë metra kub në ditë.

Pakësimi fillestar i furnizimit ndodhi për shkak të kthimit të vonuar të turbinave me gaz pas mirëmbajtjes së planifikuar në Kanada, si rezultat i sanksioneve të Kanadasë kundër Rusisë.

Në korrik, furnizimet përmes tubacionit ranë në 20%, pasi turbinat e mbetura kërkonin një riparim.

Në fillim të kësaj jave, furnizimet u ndërprenë plotësisht për një ndërprerje të planifikuar tre-ditore të mirëmbajtjes dhe Gazprom më vonë njoftoi një mbyllje pa afat, pasi sipas tij u gjet një rrjedhje e vajit të motorit në turbinë.

Disa politikanë të BE-së kanë akuzuar Moskën se po i përdor eksportet e gazit si një armë gjeopolitike, një pretendim i mohuar nga Kremlini.