Vendosni fjalën kyçe....

Terapia hormonale mund të rrisë funksionin njohës te njerëzit me sindromën Down – Studimi


Një terapi me injeksion hormonesh mund të ndihmojë njerëzit me sindromën Down, pasi një studim i ri zbuloi se përmirëson funksionin njohës të një grupi të vogël njerëzish me këtë gjendje.

Autorët e studimit, të botuar në revistën ‘Science’, demonstrojnë rolin që hormoni çlirues i gonadotropinës (GnRH) duket se luan në funksionin njohës dhe maturimin e trurit. Në një provë klinike paraprake te njerëzit, ata tregojnë potencialin e saj terapeutik në përmirësimin e njohjes së njerëzve me sindromën Down.

“Në sindromën Down, terapia pulsative GnRH duket premtuese, veçanërisht pasi është një trajtim ekzistues pa efekte anësore të rëndësishme.” – tha në një njoftim për shtyp autori i studimit, Profesor Nelly Pitteloud nga Universiteti i Lozanës.

Sindroma Down është çrregullimi më i zakonshëm kromozomik. Në SHBA, rreth 6,000 njerëz – afërsisht një në çdo 700 – lindin me këtë gjendje çdo vit. Pothuajse të gjitha rastet shkaktohen nga një kopje shtesë e kromozomit 21, e cila mund të rezultojë në rënie njohëse dhe manifestime të tjera klinike.

Shumica – 77 për qind – e njerëzve me sindromën Doën përjetojnë simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes së Alzheimerit ndërsa plaken, dhe rreth gjysma e atyre që jetojnë deri në 60 vjeç do të vazhdojnë të zhvillojnë çrregullimin neurodegjenerativ.

Njerëzit me sindromën Down shpesh humbasin ndjenjën e nuhatjes, e cila është e zakonshme me sëmundjet neurodegjenerative dhe meshkujt me këtë gjendje mund të përjetojnë gjithashtu probleme të maturimit seksual.

Deri tani nuk ka asnjë trajtim të disponueshëm për defektet njohëse ose të nuhatjes që lidhen me sindromën Down.

Duke hetuar GnRH, një hormon i çliruar nga hipotalamusi që luan një rol në riprodhim, studiuesit e studimit të ri shpresojnë ta ndryshojnë atë. Tek njerëzit, GnRH lidhet me sindromën Kallmann: karakterizohet nga defekte të nuhatjes, papjekuri gonadale dhe infertilitet.

Hulumtimet e mëparshme kanë zbuluar se neuronet që shprehin GnRH mund të veprojnë në rajonet e trurit jashtë hipotalamusit, ku mund të ndikojnë në njohjen.