Çmimet e gazit janë rritur për shkak të shqetësimeve për furnizimet me energji, pasi Rusia njoftoi se nuk do të rihapë tubacionin e saj kryesor të gazit në Evropë për një afat të pacaktuar.
BBC shkruan se çmimi i gazit me shumicë për muajin e ardhshëm në Holandë, që shërben dhe si një pikë referimi për Evropën, u rrit deri në 26 % të hënën.
Tubacioni kryesor i furnizimit me gaz “Nord Stream 1” do të rihapej të shtunën pasi ishte mbyllur për tre ditë.
Por firma shtetërore ruse e energjisë Gazprom tha se kishte gjetur një rrjedhje dhe njoftoi se furnizimi do vijonte i bllokuar për një afat të pacaktuar.
Evropa ka akuzuar Rusinë se po e përdor gazin për të shantazhuar vendet evropiane për shkak të konfliktit në Ukrainë, gjë që Moska e mohon.
Çmimet me shumicë kanë qenë shumë të paqëndrueshme në javët e fundit. Ata ranë ndjeshëm javën e kaluar kur Gjermania njoftoi se objektet e saj të depozitimit të gazit po mbusheshin më shpejt se sa pritej.
Megjithëse Britania e Madhe nuk mbështetet në Nord Stream 1 për gazin e saj, vendimi i Kremlinit për të bllokuar furnizimet në Evropë ka rritur koston e përgjithshme të gazit me shumicë. Çmimet në Mbretërinë e Bashkuar u rritën deri në 35% të hënën.