Vendosni fjalën kyçe....

Dhunoi bashkëshorten, kapet 37-vjeçari në Kamëz, i gjendet edhe një pistoletë pa leje


Një 37-vjeçar është arrestuar në Kamëz pasi akuzohet për dhunë në familje e armëmbjajtje pa leje.

I riu me iniciale është ndaluar në fshatin Kasallë ndërsa akuzohet se mbrëmjen e djeshme ka dhunuar në banesë bashkëshorten e tij.

Pas mbërritjes së policisë, personi me iniciale M.M. ka hedhur një armë zjarri pistoletë nga dritarja e ka tentuar të largohet por është kapur.

Gjatë kontrollit në banesë atij i janë gjetur edhe pesë radio që dyshohet se lidheshin me valët e radiove të policisë.

Njoftimi

“Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Policisë, u parandalua një ngjarje e mundshme kriminale në familje. Vihet në pranga 37-vjeçari që ushtroi dhunë ndaj bashkëshortes dhe e kanosi atë me armë zjarri. Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje, municion luftarak dhe 5 radio që dyshohet se lidheshin me valët e radiove të Policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në fshatin Kasallë një shtetas mbante armë zjarri dhe ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Kasalla”.

Si rezultat i tij u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: – M. M., 37 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Dhuna në familje”. Shtetasi M. M., mbrëmjen e djeshme ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij dhe e ka kanosur atë.

Ky shtetas në momentin që kanë arritur shërbimet e Policisë, ka hedhur armën e zjarrit pistoletë nga dritarja e banesës dhe ka tentuar të largohet, por është prangosur nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit përreth banesës, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje. Po gjatë kontrollit në banesë, Policia gjeti dhe sekuestroi municion luftarak, një këllëf pistolete si ato të Policisë dhe 5 radio që dyshohet se lidheshin me valët e radiove të Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”