Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania ‘do e kalojë këtë dimër të vështirë’ – Scholz


Berlini ka marrë tashmë disa ‘vendime në kohë’ për të shmangur një krizë dimërore dhe qeveria gjermane është gati të dyfishojë ndihmën dhe ‘të ndryshojë rregullat e tregut’ për të mbrojtur qytetarët dhe kompanitë nga rritja e kostove të energjisë, tha kancelari Olaf Scholz të dielën, teksa paraqiti një plan të ri ndihme prej 65 miliardë eurosh.

“Ne do e kalojmë këtë dimër. Gjermania qëndron së bashku në këtë kohë të vështirë.” – siguroi Scholz kombin.

Scholz tha se ai është ‘shumë i vetëdijshëm’ se shumë gjermanë po luftojnë me çmimet në rritje dhe se qeveria ‘i merr këto shqetësime shumë, shumë seriozisht’.

Raundi i tretë i masave të ndihmës të shpallur të dielën vlerësohet të jetë rreth 65 miliardë euro dhe përfshin një pagesë të njëhershme prej 300 eurosh për pensionistët gjermanë dhe një pagesë më të vogël prej 200 eurosh për studentët.

Qeveria gjithashtu dëshiron të zgjasë programin e përfitimeve shtetërore për strehim nga 700,000 në 2 milionë njerëz dhe të ulë taksat e sigurimeve shoqërore për ata me të ardhura mujore nën 2,000 euro.

Për të financuar nismat e reja, të cilat me dy paketa të mëparshme të ndihmës do arrinin në rreth 95 miliardë euro, Scholz kërkon të përfitojë nga ‘fitimet e tepërta’ të ofruesve gjermanë të energjisë.

Qeveria dëshiron të vendosë një kufi çmimi për ata ofrues që prodhojnë energji elektrike nga burime të tilla si qymyri, era, dielli dhe nuk duhet të paguajnë gazin natyror të kushtueshëm, por përfitojnë nga çmimet e larta të energjisë elektrike.

“Ne jemi të vendosur fort të ndryshojmë rregullat e tregut në mënyrë të tillë që fitime të tilla të papritura të mos ndodhin më, ose që ato të pakësohen.” – premtoi Kancelari socialdemokrat.

Gjermania, e cila është shumë e varur nga importet ruse të energjisë për të përmbushur nevojat e saj, ka parë që çmimet e energjisë të rriten si spirale pasi furnizimet me gaz natyror nga Rusia janë ulur në mënyrë dramatike gjatë disa muajve të fundit.

Ndërsa Moska fajëson sanksionet perëndimore për pengimin e mirëmbajtjes së rregullt të pajisjeve të pompimit të gazit, të dielën Scholz pohoi se Rusia nuk mund të konsiderohet më një furnizues i besueshëm i energjisë.

Në gusht, inflacioni gjerman u rrit në 7.9%. Rritja e çmimeve të energjisë parashikohet ta çojë atë në rritje me rreth 10% në Gjermani dhe në Eurozonë deri në fund të vitit 2022, më e larta në dekada.