Në konferencën e sotme për mediet, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta njoftoi se data e protestës së parë do të njoftohet në 24 orët e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, Meta tha se protestat do të mbahen përpara Parlamentit.
“Nuk është bërë asnjë tentativë e tillë. Dua të bëj të qartë që nuk do të habiteni që në mënyrë të vazhdueshme të jem përpara parlamentit bashkë me qytetarët që ndihen të papërfaqësuar nga një parlament me vota të vjedhura. Siç e tregojnë raportet shteti u shkri njësh me partinë. Forca më e dëmtuar ishte ish-LSI e cila në vend që të kishte 12 mandate me ato vota ka vetëm 4 mandate.
Kjo forcë politike qëndron në sheshe. Jo vetëm brenda parlamentit me katër deputetët por përballë tij me zërin e qytetarëve. Vendi ka nevojë që çdo minutë të gjithë të protestojnë aty ku janë. Jo vetëm aty ku u ndodh atyre por kur i ndodh çdo njeriu në komunitetin tonë.
PL ka një axhendë të saj për të nisur një protestë anti-korrupsion. Protesta e parë do të njoftohet në këto 24 orë. Do të ketë protesta aty ku ndodh krimi dhe ku vidhet qytetari me taksat e tij. Kemi një axhendë të qartë përveç mbështetjes që i japim qytetarëve.”– tha Meta.
Gjatë konferencës Meta u pyet edhe për aksionin e IMT-së në “Prestige Resort”, të cilin e ka konsideruar si akt terrorist në mes të sezonit turistik.
Meta u shpreh se ky është sulm ndaj medias dhe sipërmarrjes së lirë dhe përkeqëson akoma më shumë imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Ndaj ai bëri thirrje për bashkim.
“Ky është një akt terrorist. Tregues i tmerrit që Edi Rama ka nga mediat. Është një hakmarrje e qartë për vijën editoriale ndaj këtyre mediave.
Është një tjetër rekord i dhunës që vetëm do përkeqësojë imazhin e vendit. Është edhe një rritje për të gjithë qytetarët që të shporrim sa më parë një regjim banditesk që dhunon pronën dhe bën shantazh ndaj pronës në kulmin e sezonit turistik.
Tregon shumë qartë se liria e sipërmarrjes është shumë e kërcënuar dhe të gjithë duhet të bashkohemi për të fituar lirinë dhe garancitë kushtetuese e që mbrojnë atë në çdo aspekt.”- tha Meta.