Vendosni fjalën kyçe....

Në korrik, kredia për individë frenoi për herë të parë që nga shkurti i 2021-shit


Kredia bankare për individët shënoi në muajin korrik frenimin e parë në afërsisht një vit e gjysmë.

Sipas dhënave nga Banka e Shqipërisë, gjatë muajit korrik sektori bankar disbursoi rreth 6.7 miliardë lekë kredi të reja, në rënie me 5.3% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Sidoqoftë, për 7-mujorin e parë të vitit kredia për individë ishte në rritje me 14.7%. normë kjo më e lartë se rritja mesatare prej 12% e kredisë së re për ekonominë.

Megjithatë, rënia e lehtë e muajit korrik mund të jenë një tregues se ndoshta sektori bankar po fillon të shfaqë një qasje më të kujdesshme në kreditimin për individët.

Segmenti i shitjes me pakicë dhe sidomos kredia për individë ka shfaqur norma të larta të rritjes në vitet e fundit.

Kjo rritje reflekton një strategji për të diversifikuar më shumë huadhënien në ekonomi dhe për të ulur përqendrimin e lartë në segmentin e biznesit, që ka qenë tipik për sektorin bankar shqiptar, deri në momentin kur u shfaq kriza e kredive me probleme.

Pikërisht ekspozimet e mëdha në segmentin e korporatave dhanë efektin kryesor negative në rritjen e kredive me probleme, që kulmoi në vitin 2015, me një raport prej afërsisht 25%.

Sidomos në dy vitet e fundit, rritja e kreditimit të individëve është ndikuar shumë edhe nga cikli i ri i rritjes së shpejtë të çmimeve në tregun e pronave. Bankat kanë qenë mbështetëse në këtë cikël dhe kreditimi për blerjen e pronave ka prekur vlerat më të larta historike.

Por, goditja e fortë inflacioniste dhe mesazhet që po përcjell politika monetare ndoshta mund të bëjnë që sektori bankar ta frenojë disi ritmin në kreditimin e individëve. Çmimet e pasurive të paluajtshme vazhdojnë të shfaqin rritje të shpejtë dhe kanë arritur nivele rekord, sidomos në Tiranë.

Ka ekspertë që besojnë se mund të ndodhemi përballë një flluske të tregut të pronave, që mund të shfryhet në një të ardhme të afërt, edhe duke marrë në konsideratë zhvillimet jo të favorshme ekonomike.

Inflacioni ka arritur nivelet më të larta që prej periudhës që pasoi krizën e vitit 1997. Banka e Shqipërisë po ndërmerr një rritje të shpejtë të normave të interesit. Mes fundit të muajit mars dhe fillimit të muajit gusht, norma bazë e interesit është rritur tre herë, duke arritur nga 0.5% në 1.75%.

Politika monetare është reflektuar edhe në një rritje të shpejtë të yield-eve në tregun e instrumenteve të borxhit të qeverisë shqiptare, që janë benchmark i tregut edhe për kreditimin e sektorit privat në monedhën vendase. Familjet dhe bizneset që kanë kredi afatgjata me interes të ndryshueshëm do të fillojnë ta ndjejnë qysh këtë vit efektin e rritjes së normave të interesit në këstet e kredive të tyre.

Gërryerja e fuqisë blerëse nga inflacioni dhe rritja e normave të interesit në teori pritet të ndikojnë në ritme më të ulëta të kredidhënies për individët. Rënia e muajit shkurt mund të jetë një sinjal i parë, megjithëse ndoshta do të duhet një kohë më e gjatë para se të vërehet një tendencë e qartë dhe e vijueshme në kohë.

Nga ana tjetër, ngadalësimi i kreditimit pritet të japë një efekt negativ edhe në tregun e pronave. Ekspertët besojnë se norma e rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme do të ngadalësohen gradualisht gjatë viteve në vazhdim.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al