Vendosni fjalën kyçe....

Sulmohet ambasada ruse në Afganistan, gjashtë persona të vrarë


Dy punonjës të ambasadës ruse janë në mesin e të paktën gjashtë personave që kanë mbetur të vrarë në një sulm në kryeqytetin afgan Kabul.

Zyrtarët rusë dhe talebanë kanë thënë sipas BBC-së se gardianët qëlluan për vdekje sulmuesin teksa po i afrohej hyrjes së seksionit konsullor.

Nga bombardimi raportohet se kanë mbetur të plagosur edhe një numër personash të tjerë, ndërsa asnjë grup deri më tani nuk ka marrë përgjegjësi për këtë sulm.

Ky është sulmi i parë në një mision të huaj në Afganistan, që kur talebanët erdhën në pushtet në gusht 2021.

Më herët, një zyrtar taleban tha se të paktën 10 persona ishin plagosur. Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA raportoi se një diplomat dhe një roje sigurie e ambasadës ishin plagosur.

Raportet e tjera të mediave i vendosin shifrat e viktimave më të larta.

“Këtë mëngjes, një shpërthim ndodhi në ambasadën ruse në Kabul – katër persona dhe dy punonjës të ambasadës ruse u vranë, dhe një numër afganësh u plagosën.”– tha një deklaratë nga zëdhënësi i shefit të policisë talebane në Kabul. Ai shtoi se sulmuesi vetëvrasës ishte parë nga personeli taliban që ruante ambasadën teksa iu afrua njerëzve të mbledhur para ndërtesës.

“Ai u identifikua nga siguria dhe u shënjestrua, gjë që shkaktoi një shpërthim.”- tha zëdhënësi.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se “një militant i panjohur vendosi një pajisje shpërthyese pranë hyrjes së seksionit konsullor”.

“Pa asnjë dyshim, ne po flasim për një akt terrorist, i cili është absolutisht i papranueshëm.”- tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov para gazetarëve në Moskë.

Rusia është një nga vendet e pakta që ka një prani diplomatike në Afganistan. Moska nuk e njeh zyrtarisht qeverinë e talebanëve – asnjë vend nuk e njeh. Megjithatë, të dy palët kanë diskutuar blerjet e mundshme të mallrave si gruri, gazi dhe nafta nga Moska.