Një djalë katërvjeçar australian ka shpëtuar nënën e tij e cila ndodhej në një urgjencë mjekësore duke thirrur një ambulancë. Dhe kjo vetëm një ditë pasi ajo i kishte mësuar atij se si të kërkonte ndihmë në shërbimet e urgjencës në raste nevoje.
Më 27 gusht, vogëlushi Monty Cocker thirri numrin e urgjencës kombëtare që nuk është shumë i vështirë, thjesht “000” , duke u thënë operatorëve: “Mamaja është rrëzuar”.
“Kur arritëm në adresë, ai ishte në dritare… duke na e bërë me dorë.”- tha ndihmësmjeku Mark Small, citon BBC.
Brenda shtëpisë, Monty me qetësi ndihmoi ekuipazhin e ambulancës të kuptonte se nëna e tij, Wendy, kishte pësuar një krizë.
Doktor Small tha se regimi i shpejtë i vogëlushit bëri një ndryshim të madh, pasi “veçanërisht nëse godet kokën kur bie, ose ke një krizë të zgjatur, mund të jetë mjaft serioze.”
Mjekët e ndihmës së shpejtë u kthyen përsëri të martën në shtëpinë e vogëlushit dhe nënës së tij në Launceston, për t’i dhënë Monty-t një certifikatë mirënjohjeje.
Zonja Cocker, e cila është një infermiere, u tha gazetarëve se Monty e dinte se ai kishte bërë një gjë të mirë. Por kur u tregonte miqve të tij në çerdhe u thoshte se kjo gjë kishte qenë “e lehtë”.
“Gjyshja e tij erdhi dhe tha: ‘Ku është superheroi?’ Dhe ai tha: ‘Oh jo, unë nuk jam superhero. Unë jam thjesht një hero.”
Pasdite para incidentit, zonja Cocker i kishte shpjeguar Montit se si të thërriste një ambulancë. Por ajo nuk priste që ai do të duhej ta përdorte atë kaq shpejt.
Ndihmësmjeku Smalls tha: “Unë kam qenë një ndihmës mjek për 13 vjet dhe kam parë fëmijë më të mëdhenj të thërrasin një ambulancë, por kurrë, kurrë një katërvjeçar.”