Vendosni fjalën kyçe....

Ardi Veliu në krye të AMP-së/ Flamur Noka: Rikthimi i drejtorit famëkeq, i rrezikshëm dhe provokativ


Deputeti i PD-së Flamur Noka ka reaguar kundër rikthimit të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu brenda radhëve të uniformave blu.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore tashmë do drejtohet nga Ardi Veliu, i cili është rikthyer në Policinë e Shtetit, pasi u shkarkua si zv.ministër i Transportit. Por Noka e ka cilësuar të rrezikshëm dhe provokativ “riciklimin” e figurës së tij.

“Me këto dy rekorde të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikëqyrur Policinë, por për t’u siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit.”– shton ai.

Më pas Noka paralajmëron se të korruptuarit dhe “vrasësit e mitit të shtetit” siç e quan edhe Ardi Veliun, do të japin llogari për çdo përfshirje në korruptim dhe inkriminim.

DEKLARATA E NOKËS

Rikthimi i njërit prej përgjegjësve të kriminalizmit të Policisë në vendin e krimit, është një ogur i keq i kësaj qeverie për çdo shqiptar që kërkon rend, siguri dhe një polici në shërbim të qytetarëve.

Ardi Veliu, ish-drejtori famëkeq i Policisë së Shtetit, është kthyer në strukturën policore.

Ai do të drejtojë Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore e cila, siç sugjeron emri, do të kontrollojë policët për shkelje etike dhe ligjore.

Siç thotë populli: i varin ujkut zorrët në qafë.

Ardi Veliu është kampion i shkeljeve etike dhe ligjore. Ai është kryepolici i akuzuar për lidhje me krimin e organizuar, me dorën deri në bërryl në qypin e korrupsionit.

Ardi Veliu, mbi të gjitha, do të kujtohet për korruptimin strukturor të Policisë së Shtetit. Me korruptim strukturor duhet të kuptojmë politizimin deri në palcë, duke e kthyer armën e Policisë në pisqollë të Rilindjes.

Gjithashtu Veliu është kryepolici që infektoi policinë e shtetit me virusin e prekjes dhe përfshirjes në zgjedhje.

Me këto dy rekorde të zeza, Partia Demokratike paralajmëron se Ard Veliu është rikthyer, jo për ta mbikëqyrur Policinë, por për t’u siguruar se në zgjedhjet e ardhshme ajo do të jetë sërish dora e zgjatur dhe e pandëshkuar e Rilindjes në proces. Si dhe për të ruajtur lidhjet e vjetra me botën e krimit.

Ardi Veliu e ka mbi vete damëkn e Elbasanit në zgjedhjet e shkuara.

Jo vetëm peshën e një vrasjeje, por edhe prishjen e provave në vendngjarje.

Riqarkullimi i Veliut nuk është thjesht kriza për kuadro të ndershëm në Polici, por filozofia e kryeministrit, ministrit dhe kësaj qeverie, sipas të cilëve monitorimi i Policisë u lihet të inkriminuarve.

Partia Demokratike e sheh si të rrezikshëm dhe provokativ këtë emërim. Duke e ndarë armën e policisë nga pisqollat e pushtetit, ne garantojmë, si policët e ndershëm, ashtu dhe opinionin publik, se të korruptuarit dhe vrasësit e mitit të shtetit, siç është Ardi Veliu, do të japin llogari për çdo përfshirje në korruptim dhe inkriminim.