Vendosni fjalën kyçe....

Filip Talo kërkesë Autoritetit të Dosjeve: Korrigjo të dhënat, kush janë 2 njerëzit me të cilët bisedova planin e arratisjes


Filip Talo i është drejtuar Autoritetit të Dosjeve duke i kërkuar të korrigjojë dosjen e tij, pasi personi të cilit ai i ka treguar se do të arratisej nuk ka qenë ish-presidenti Ilir Meta por dy të tjerës.

Filip Talo është personi i cili dyshohet se është spiunuar në ish-sigurimin e shtetit nga Ilir Meta, sipas pretendimeve të ngritura nga Autoriteti i Dosjeve.

Talo thotë se shokët me të cilët ka biseduar për arratisjen kanë qenë Ilir Murati dhe Astrit Zeqo dhe jo Ilir Metaj, ish-presidenti dhe politikani që e njohin të gjithë.

Në letër Talo shprehet se ka biseduar me Ilir Muratin deri në momentin kur ka dyshuar se ky i fundit mund të ishte personi që bashkëpunonte me sigurimin e shtetit.

“Denoncimi i vetëm që më është vënë përpara nga punonjësit e sigurimit të shtetit është vetëm denoncimi i shokut tim të klasës dhe konviktit Ilir Murati (denoncim i cili çuditërisht mungon në dosje.  I vetmi person që ka përdorur ndaj meje teknikë operative është shoku im Ilir Murati dhe ky fakt është konfirmuar nga organet e sigurimit të shtetit në dokumente dhe përgjime. Ju informoj se në klasën time ka pasur dy persona me emrin Ilir Metaj dhe konkretisht: Ilir Rexhep Metaj dhe Ilir Mero Metaj. Sqaroj faktin se në asnjë rrethanë apo situatë unë nuk kam biseduar me asnjë prej tyre për idenë e arratisjes jashtë shtetit, si dhe asnjë prej këtyre dy personave nuk më ka pyetur apo shprehur ndonjë kërkese apo dyshim lidhur me idenë time për t’u arratisur. Ky fakt konfirmohet edhe nga dokumentet që më kanë vënë përpara punëtoret dhe operativet e sigurimit te shtetit ku rezultonte vetëm një person si denoncuesi im dhe ai ishte: Ilir Murati. Sa mësipër, unë kërkuesi Filip Talo, kërkoj korrigjimin/saktësimin e këtij paragrafi duke qartësuar faktin se personi i vetëm që më ka denoncuar me prova, fakte dhe përgjime në organet e sigurimit të shtetit është Ilir Murati.”– thuhet në letrën e dërguar nga Talo, të publikuar nga Oranews.

Në kërkesën për Autoritetin e Dosjeve, Murati thekson më tej se “nga materiali i dosjes në ngarkim të tij rikonfirmon autenticitetin dhe saktësinë e vërtetësinë vetëm tek shkresat që janë shkruar me shkrim dore dhe janë firmosur nga ana e tij ndërkohë që disa shkresa të tjera përmbajnë të dhëna kontradiktore, të pasakta të manipuluara, dhe /ose të falsifikuara. Fatkeqësia ime në atë periudhë, nuk mund të shërbejë si bazë për të më bërë objekt ngacmimesh apo shantazhesh sot.”

Nëse Autoriteti i Dosjeve nuk korrigjon të dhënat e gabuara, në fund të letrës Talo paralajmëron se çështjen e tij do ta ndjekë në institucionet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Kliko këtu për dokumentin e plotë.