Komisioni Evropian propozoi pezullimin e plotë të Marrëveshjes së Lehtësimit të Vizave të BE-së me Rusinë.
“Një vend si Rusia, që bën një luftë agresioni, nuk duhet të kualifikohet për lehtësimin e vizave për sa kohë që vazhdon të kryejë një politikë të jashtme shkatërruese dhe agresionin ushtarak ndaj Ukrainës, duke demonstruar një shpërfillje të plotë ndaj rendit të bazuar në rregulla ndërkombëtare.
Pezullimi vjen si përgjigje të rreziqeve dhe kërcënimeve në rritje ndaj sigurisë së Bashkimit dhe sigurisë kombëtare të shteteve anëtare si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo do të thotë se qytetarët rusë nuk do të gëzojnë më akses të privilegjuar në BE dhe do të përballen me një proces aplikimi për vizë më të gjatë, më të shtrenjtë dhe më të vështirë”, thuhet në njoftimin e Komisionit Evropian.
KE shton se BE-ja do të mbetet e hapur për disa kategori të aplikantëve rusë për viza që udhëtojnë për qëllime thelbësore, duke përfshirë veçanërisht anëtarët e familjeve të qytetarëve të BE-së, gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.
Komisioni gjithashtu paraqet sot një propozim për mosnjohjen e pasaportave ruse të lëshuara në zonat e okupuara të Ukrainës.
Këto propozime pasojnë marrëveshjen politike të arritur nga Ministrat e Punëve të Jashtme në takimin e tyre jozyrtar të 31 gushtit.