Deputeti i PD-së Bujar Leskaj është përplasur me ministren e Financave Ibrahimaj në Komisionin e Ekonomisë.
Ai tha se në kohë krize qeveria bën 4 milionë euro një instalacion druri ndërkohë që lekët mund të shpenzoheshin për të tjera nevoja.
“Zonja ministre siç flisni ju si luftëtare e qeverisë dhe partisë. E meritoni postin për këtë. Po ju borxhin publik e keni mbi 100%. Ju pyetjeve tona nuk u jepni asnjëherë përgjigje të saktë. Unë ju pyeta për instalacionin. Si e keni ju këtë investim 4 milionë euro në kohë kursimesh? Sot ju që keni pataten e nxehtë të menaxhimit të financave publike, të borxhit publik duhet të ndjeni një prekje në ndërgjegjen profesionale, si nënë si vajzë, si qytetare. Ju duhet të shqetësoheni. Ju jo vetëm 3 milionë euro, po edhe 300 mijë e 30 mijë duhet t’iu prekin në ndërgjegje.” – tha Leskaj.
Ministrja nga ana e saj nuk iu përgjigj Leskajt për çështjen e instalacionit teksa deklaroi se nuk kishte ardhur për bërë lojëra fjalësh dhe se opozita ka baltosur të gjitha nismat e qeverisë.
“Në radhë të parë nuk jam këtu të gënjej askënd dhe të bëj lojëra fjalësh me askënd. Më duket krejt e kundër që deputetët e opozitës, të gjitha nismat që qeveria ka marrë për krizën ekonomike, nuk ka patur asnjë fjalë pozitive dhe vetëm baltë. Sa i përket borxhit, ato fshehje të detyrimeve të prapambetura i bënte qeveria juaj. Ne nuk e bëjmë. Të dhënat tona fiskale janë të dhëna që u referohen të gjitha mekanizmave ndërkombëtarë.” – tha Ibrahimaj.