Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i ftuar në emisionin ‘Log’, ka folur për aksionin opozitar, dhe për protestën e paralajmëruar për javën e ardhshme tek inceneratori i Tiranës.
I pyetur se përse do të nisë protesta nga inceneratori i Tiranës, Meta tha se ka ardhur koha që lufta kundër korrupsionit të bëhet tani aty ku ndodh krimi dhe jo vetëm me denoncime në SPAK.
Meta deklaroi gjithashtu se deri dje LSI dhe sot Partia e Lirisë kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke depozituar fakte dhe prova në SPAK për shkeljet që kanë ndodhur, tani është koha që politika të denoncojë nga terreni.
“Ne kemi thënë se nuk do të protestojmë vetëm me fakte, ne kemi denoncuar vazhdimisht. Sot PL e dje LSI ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm duke depozituar fakte të tëra në SPAK.
Por ky aktivitet kriminal vazhdon, është momenti i përshkallëzimit, dhe ne kemi thënë që do të jemi në vendngjarje aty ku ndodh krimi, vjedhja, falsifikimi. Ky është një moment tjetër në luftën antikorrupsion”-deklaroi Meta.