Vendosni fjalën kyçe....

Petrit Vasili: Kryebashkiaku i Shijakut mashtroi, 20 milionë lekë i ka paguar inceneratorëve në vetëm dy muaj


Në një konferencë për mediet, deputeti i Partisë së Lirisë-së, Petrit Vasili ka reaguar pas qëndrimit publik të kryebashkiakut të Shijakut, Elton Arbana për çështjen e plehrave.

Vasili tha se kryebashkiaku i Shijakut mashtroi publikisht kur tha se bashkia e Shijakut nuk ka paguar asnjë qindrakë për djegien e mbetjeve në ladfill në Tiranë.

Ai tregoi një kontratë, sipas të cilës janë paguar nga shtatori deri në tetor të vitit 2021, rreth 20 milionë lekë.

“Në mënyrë shumë të përbledhur do të zbërthejmë para jush se si mashtroi kryetari i bashkisë së Shijakut në prononcimin që ai mbajti menjëherë pas prononcimit e inspektimit që kryetari i PL-së Ilir Meta bëri atje, duke thënë që ne ‘i çojmë mbeturinat gratis në Tiranë për t’i trajtuar’.

Do bëj një konsideratë politike, sa here që keni përpara një Rilindas, dijeni se keni përpara një mashtrues dhe gënjeshtar.

Pse po e përdor këtë gjuhë? Ja ku është kontrata e firmosur në vitin 2021.

Po ky zotëria që thotë që s’kemi paguar asnjë lekë, në kontratën me Integrated Energy, është firmosur nga ky zotëri dhe thuhet në aneksin e saj kontrate: Se angazhohemi për të gjitha detyrime që rezultojnë si të tilla për Bashkinë Shijak, duke përfshirë, po pa kufizuar për depozitimin e mbetjeve, sipas çmimit  29 euro për ton pa TVSh dhe konform aneksit përkatës për gjatë gjithë kohëzgjatjes së kësaj marrëveshje apo çdo çmimit të konfirmuar sipas dispozitave të kontratës.

Është i njëjti që gënjen sot dhe harron si ka gënjyer dje. Ai më datë 23 gusht thotë; Landfilli thotë Elton Arbana se nuk mund të pranojë më mbetje pa tarifë dhe pa marrëveshje edhe pse deri tani i ka mbuluar vetë kostot financiare. Për këtë arsye kërkesën e kemi marrë një ditë më parë, është marrë vendimi i këshillit bashkiak dhe është proceduar me këtë marrëveshje që paguhen para. Jo vetëm që janë paguar para, por vetëm për periudhën shtator dhe tetor të 2021, sipas deklarimeve të vetë kompanisë së Inceneratorëve ka marrë mbi 20 milionë lekë nga Bashkia e Shijakut për këtë çështje. I gjithë prononcimi ishte mashtrim.”- tha Vasili.