Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zbritur në terren këtë të mërkurë, duke u takuar me mbështetës të tij në kryeqytet, konkretisht në Njësinë 7.
Ai ka publikuar në rrjetet sociale disa foto nga ky takim, ku shprehet se nga kjo njësi kanë dalë disa prej aktivistëve më energjikë, ndërsa shton se aksioni politik i kësaj force politike përkrah qytetarëve do të jetë i pandalshëm.
“Shumë i bukur rikthimi në terrenin e Njësisë nr.7 në Tiranë, ku kam qenë banor për shumë vite dhe që historikisht ka njohur disa prej aktivistëve më energjikë dhe me kontribute të mëdha politike. Kënaqësi të takohesha me drejtues dhe banorë të zonës dhe të ndanim bashkërisht idetë për të ardhmen.
Së bashku me qytetarët, aksioni politik i Partisë së Lirisë do të jetë i pandalshëm dhe triumfues!”– shkruan Meta ndërsa ndan fotot e këtij takimi.
Ditën e djeshme, ish-presidenti Meta njoftoi se protesta e parë e Partisë së Lirisë do të mbahet më 13 Shtator, përpara Inceneratorit të Tiranës.