Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një bashkëbisedim me ekspertë dhe gazetarë për situatën e rendit në vend deklaroi se nisma Ballkani i Hapur është një problem i pamohueshëm për sigurinë kombëtare.
Berisha theksoi se në aksin Beograd-Shkup-Tiranë, lëvizin, operojnë bandat më të fuqishme të Ballkanit.
Sipas tij, Ballkani i Hapur është një Ballkan i hapur për krimin, për drogën, për pasigurinë.
“Ju falënderoj për kontributin që keni dhënë. Në të gjitha problemet e një shoqërie, të një vendi dhe të një kombi, problemi i parë dhe më kryesor gjithmonë mbetet problemi i sigurisë. I sigurisë kombëtare, sigurisë ligjore dhe asaj të rendit, të jetës, pronës, veprimtarisë të qytetarëve dhe të shoqërisë në tërësi.
Në shumë aspekte ajo që është dëmtuar më rëndë, që është rrokullisur më shumë, që është shndërruar në një rrezik madhor për qytetarët shqiptarë, për shoqërinë tonë, për kombin tonë lidhet direkt me çështjet e sigurisë. Sot ne jemi vend anëtar i NATO-s, për definicion ne nuk mund të kemi kërcënime për sigurinë kombëtare sepse Aleanca ka traktatin, ka nenet e saj, por edhe zotimin së fundi të presidentit Joe Biden që, një inç po u prek në territoret e vendeve anëtare të NATO-s, Aleanca do reagojë si një e tërë”, tha Berisha.
Ai theksoi më tej se që është tejet shqetësuese është një përpjekje e hapur e Edi Ramës për të rreshtuar Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s me Serbinë, e cila në të gjitha kohërat që kur është bërë e pavarur deri sot është e njohur si Rusia e vogël.
“Në këtë kontekst më duhet të them se nëse Shqipëria duhet të ishte e para që ta kishte kundërshtuar një projekt, por fatmirësisht Kosova nuk pajtohet me këtë dhe është qeveria e Kosovës që është shndërruar në një faktor kryesor të shndërrimit të këtij projekti në një aleancë trilaterale Beograd-Shkup-Tiranë. Kjo aleancë, aq sa përbën një problem të pamohueshëm për sigurinë kombëtare, aq përbën problem dhe për rendin, sigurinë dhe luftën kundër krimit. Janë pikërisht në këtë aks, lëvizin, operojnë bandat më të fuqishme të Ballkanit. Atje ishte Bjellivuku, këtu janë të tjerët. Por në fakt Ballkani i Hapur është një Ballkan i hapur për krimin, për drogën, për pasigurinë. Në raport me sigurinë e qytetarëve, rendin, jetën, në raport me veprimtarinë e policisë së shtetit dhe organeve ligjzbatuese, ajo që ka pasur efektin më shkatërrimtar në Shqipëri ka qenë droga dhe është droga”, deklaroi Berisha.