Vendosni fjalën kyçe....

Bllokohet peshkarexha me 25 mijë litra naftë kontrabandë në Durrës, arrestohen kapiteni dhe marinari


Policia ka dhënë hollësi lidhur me aksionin e mbrëmjes së djeshme ku u sekuestruan rreth 25 mijë litra naftë kontrabandë në një peshkarexhë, e destinuar për tregun shqiptar.

Gjatë operacionit të koduar ‘Diesel 2’ janë arrestuar katër persona, dy prej të cilëve vëllezër. Në pranga kanë përfunduar 43-vjeçari Shpëtim Cani e 41-vjeçari Roland Cani, banues në Kavajë.

Peshkarexha “Leone”, që i përket dy vëllezërve nga Kavaja është konstatuar në ujërat ndërkombëtare nga Guardia di Finanza, e cila ka njoftuar autoritetet shqiptare. Peshkarexha vinte nga vendet e Lindjes, ndërsa nafta ishte planifikuar për t’u hedhur në tregun e brendshëm.

Në vijim të të njëjtit operacion, policia njofton edhe arrestimin e 49-vjeçarit A.R. banues në Fier dhe 58-vjeçarit N.D. banues në Lushnjë.

Sipas njoftimit, në autobusin e drejtuar nga A.R. e ku N.D. ishte pasagjer u gjetën 120 shishe e 30 litra verë si dhe 205 kuti me parfume të ndryshme pa faturat përkatëse.

Njoftimi i Policisë:

“Evidentohen dhe goditen brenda pak orëve, 2 raste të veprimtarisë kriminale të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm, vihen në pranga 4 autorët e dyshuar të këtyre rasteve, 2 prej tyre vëllezër.

Gjenden dhe sekuestrohen rreth 25 000 litra naftë, si dhe mallra të tjerë, të dyshuar të kontrabanduar.

Si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërive, shërbimet e PKK Port Durrës në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, ekipin monitorues të Guardia di Finanza dhe me specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimit dhe Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar planin intensiv operacional të koduar “Diesel 2”, në kuadër të të cilit janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm dhe janë vënë në pranga shtetasit Sh. C., 43 vjeç dhe R. C., 41 vjeç, banues në Kavajë (vëllezër).

Shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.

Në vijim të planit operacional të koduar “Diesel 2”, janë arrestuar edhe shtetasit A. R., 49 vjeç, banues në Fier dhe N. D., 58 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në autobuzin që drejtonte shtetasi A. R. dhe ku ishte pasagjer shtetasi N. D., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 120 shishe dhe 30 litra verë, si dhe 205 kuti me parfume të markave të ndryshëm, mallra të cilët u gjetën pa faturë blerjeje dhe të padeklaruara në doganë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, kryer në bashkëpunim.”