Vjen reagimi i parë nga opozita për deklaratat e sotme të kryeministrit Rama në takimin me drejtuesit e Policisë së Shtetit, ku u bë prezantimi i emërimeve të reja dhe u dhanë disa porosi për ta nga kreu i qeverisë.
Deputeti i PD-së Ervin Salianji e kritikon Ramën përmes një postimi në “Facebook” duke e quajtur “arkitekt të shkatërrimit dhe inkriminimit” të Policisë. Salianji thotë se arsyet e ndryshimeve në polici janë në funksion të goditjes së kundërshtarit politik apo mediave që nuk Rama nuk i kontrollon.
“Edi Rama është arkitekti i shkatërrimit dhe inkriminimit të policisë së shtetit ashtu siç është dhe përfituesi kryesor i angazhimit të tyre abuziv në fushata elektorale për të grumbulluar vota në kurriz të shkallmimit të shtetit! Përdorimi i grupeve më të errëta të krimit të organizuar në këmbim të lehtësirave të mëvonshme e ka paralizuar policinë e shtetit në rastin më të mirë dhe shpesh ka krijuar perceptimin që ska kufij por bashkim mes shtetit dhe mafias!
Arsyet e ndryshimeve në polici janë në funksion të këtij objektivi, të goditjes selektive, të përdorimit të policisë, të goditjes së kundërshtarit politik apo mediave që nuk kontrollon, të lehtësimit të grupeve kriminale duke ju treguar që dera qëndron e hapur, ka më shumë rëndësi për qeverinë që dera për krimin të jetë më e hapur se dera për partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë!”– shkruan Salianji.