Prokurorët japonezë arrestuan dy zyrtarë të një sponsori të Lojërave Olimpike të Tokios të martën, si pjesë e një hetimi të zgjeruar për ryshfet, që media tha se përfshinte një ish-anëtar të bordit të ‘Tokio 2020’.
Gazeta Nikkei raportoi se botuesi Kadokawa Corp (9468.T) i ka paguar 70 milionë jen (498,000 dollarë) një kompanie të lidhur me anëtarin e atëhershëm të bordit të ‘Tokio 2020’, Haruyuki Takahashi, i cili dyshohet se e ka ndihmuar kompaninë të bëhet sponsor i Lojërave Olimpike të Tokios.
Kadokawa konfirmoi se prokurorët kishin arrestuar dy zyrtarë të kompanisë dhe bastisën zyrën të martën mbi akuzat për ryshfet.
“Kompania do vazhdojë të bashkëpunojë plotësisht me hetimet e autoriteteve”, thuhet në një deklaratë.
Aksionet e Kadokaëa e mbyllën ditën me 5.42% më poshtë. Takahashi është tashmë në paraburgim pasi u arrestua muajin e kaluar me dyshimin për ryshfet në lidhje me Lojërat Olimpike. Media raportoi se prokurorët vendosën të riarrestojnë Takahashin, që do të thotë se ai po përballet me paraburgim më të gjatë në mënyrë që prokurorët ta marrin në pyetje më tej.
Një tjetër sponsor i Lojërave Olimpike të Tokios, Aoki Holdings (8214.T), tha të martën se prokurorët kishin paditur dy ish-drejtues dhe një ekzekutiv me akuza për ryshfet.
Ata u arrestuan muajin e kaluar së bashku me Takahashin pas raportimeve se ai merrte ryshfet nga Aoki, një shitës me pakicë veshjesh.
Ish-kryetari i Aoki, Hironori Aoki, u tha prokurorëve se ai i dha para kreut të komitetit organizues të Lojërave, ish-kryeministrit Yoshiro Mori, raportoi e përditshmja Sankei javën e kaluar.
Reuters raportoi në vitin 2020 se Takahashi, i cili u pagua me miliona dollarë për të punuar në grupoin organizator të Lojërave Olimpike të Tokios, tha se ai luajti një rol kyç në sigurimin e mbështetjes së një ish-anëtari të Komitetit Olimpik, i cili më vonë u dyshua nga prokurorët francezë për marrje ryshfeti për të ndihmuar ofertën e Japonisë.
Takahashi tha asokohe se puna e tij përfshinte lobimin e anëtarit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Lamine Diack, të cilit i dha dhurata, duke përfshirë kamera dixhitale dhe një orë Seiko. Diack, dikur një nga njerëzit më të fuqishëm në atletikë, u burgos në Francë në vitin 2020 për korrupsion. Ai vdiq vitin e kaluar në moshën 88-vjeçare.