Vendosni fjalën kyçe....

Ekonomiksi i operimit të drogërave/krimit të organizuar


Nga Olsi Bakalli

Ngjarjet e fundit të shfaqjes së kriminalitetit në vend, si kronikë e ngjarjeve të paralajmëruara apo si risk i bizneseve që zhvillojnë aktivitet në këtë industri; nuk janë aspak të reja në përmbajtje dhe qëllim, veçse forma në të cilën vijnë i përshtatet personazheve, rrethanave dhe kohës.

Ne flasim për tregun multi-miliardësh global të krimit të organizuar, raportet kërkesë-ofertë, zinxhirin e furnizimit, manaxhimin e operacioneve, sukseset dhe dështimet, por aktorët i kemi gjithmonë lokalë. Madje edhe partnerët veçanërisht Evropianë bëjnë vazhdimisht thirrje për një reagim të ashpër të organeve tona ligjzbatuese ndaj këtij fenomeni.

Por cili është roli i Ballkanit në përgjithësi, apo Shqipërisë në veçanti, në këtë treg?

Çfarë mund të thuhet për nivelin e organizimit të krimit si industri?

Cilët janë treguesit në nivel makro të kësaj industrie dhe shembujt më përfaqësues?

Sa efikase mund të jenë strukturat e rendit dhe sigurisë përballë organizimit profesional të krimit?

Cila është sfida e ardhshme e shoqërisë ndaj këtij fenomeni?

Ballkani është një stacion i rëndësishëm për trafikimin dhe përpunimin final të drogërave të forta, me lidhje direkte me vendet e Amerikës Latine dhe jo rrallë herë cliësohet si “Kolumbia e Europës”. Ekzistenca e një rrjeti të tregut të zi nën socializëm, mungesa e ligjit, korruptimi i elitave shtetërore, tranzicioni kaotik ekonomik dhe luftërat në ish-jugosllavi i dhanë kësaj zone një rëndësi të veçantë në tre dekadat e fundit. Krimi i organizuar u fuqizua edhe më shumë duke përdorur resurset financiare për të privatizuar kompani shtetërore, apo për të fituar pushtet në qeveri. Pushtet të cilin strukturat kriminale e përdorin për të lehtësuar proçeset e punës së tyre. E në këtë të fundit patjetër që Shqipëria ka përfaqësuesit “dinjitozë” të saj.

Rreth 70% e kriminalitetit është e lidhur me drogërat, ndaj kur flasim për nivel organizimi kemi të bëjmë me një zinxhir global furnizimi, kontroll vertikal në prodhim-transport-shitje me shumicë dhe së fundmi një model virtual nga shitja me shumicë tek shitja me pakicë.

Në fund të viteve 90-të një profesor i ekonomisë i universitetit të Çikagos vendos të infiltrohet në një bandë të shpërndarjes së drogës, për të kuptuar nivelin e organizimit të tyre që ishte pak a shumë i njëjtë në të gjithë Amerikën. Ai zbuloi se organizimi niste në nivel lagjeje dhe rekrutimi vazhdonte në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme, ku lideri i një bande punësonte 3 “oficerë”, 40 “këmbësorë” dhe rreth 150 anëtarë të pa paguar (aspirantë për të punuar me kohë të plotë dhe me privilegje në rrugë). Një rrjet prej 120 bandash të këtij lloji përbënin atë që quhej kartel, i cili zgjidhte nga radhët e veta rreth 20 anëtarë pjesë të bordit drejtues (të cilë paguheshin rreth $ 500 mijë në vit). Në total ky kartel punësonte rreth 5 mijë persona me kohë të plotë dhe 18 mijë anëtarë të pa paguar. Patjetër që me kalimin e viteve ky nivel organizimi është sofistikuar, është bërë kryesisht virtual, duke e bërë atë vështirësisht të gjurmueshëm dhe shkatërrueshëm.

Sa më sipër është shembulli real që kjo industri, mendon, vepron dhe organizohet si një koorporatë multi-nacionale, me një strukturë globale e cila kontribon në ekonominë e një vendi nga 0.3-5 % e GDP-së. Kjo industri përbën rreth 70% të përfitimeve totale të krimit, nga ku 40% ri-investohet në krim dhe pjesa tjetër pastrohet në aktivitet legale, duke i dhënë kështu fuqi joproporcinale krimit në treg.

Fakti që një përdorues mesatar i drogës në EU/SHBA ka nevojë për rreth $65 mijë për të suportuar varësinë e tyre ndaj substancave bashkë me shtimin e përdoruesve, e kanë bërë këtë treg mjaft tërheqës për sipërmarrësit të cilët përpiqen të përmbushin kërkesën në rritje për produkte. Tregu vazhdon të mbetet atraktiv edhe për prodhuesit, pasi fitimi i fermerëve të vegjël që kultivojnë Coca është 150 herë më i madh se sa fitimi kur ato kultivonin banane. Të dhënat tregojnë që mafia italiane ka të ardhura vjetore rreth $200 miliardë, shifër kjo më e madhe se të ardhurat e disa prej kompanive high-tech. Karteli i Kalit me të ardhura rreth $60 miliardë i ngjason një kompanie si Apple apo Amazon të para disa viteve. Kemi të bëjmë me një treg të kontrolluar, ku çmimet e shitjes me pakicë ranë me 75% në vitin 1998 duke mbetur pothuajse të pandryshuara deri në ditët e sotme. Madje edhe sasia e ndaluar dhe e konfiskuar e drogës (që përbën rreth 25 % të prodhimit total) nuk ka një impakt në përcaktimin e çmimit. Sigurisht që një industri me një normë fitimi neto rreth 60% është më tërheqëse se çdo industri tjetër me një marzh fitimi afër 5% dhe nxit gansterizimin global.

Kjo industri ka ndikimin e vet edhe në punësim. Vetëm karteli i Kalit në Kolumbi punëson më shumë njerëz se sa të gjithë skuadrat e antidrogës në botë sëbashku. Karteli i marijuanës në Meksikë punëson direkt rreth 150 mijë njerëz dhe 200 mijë të tjerë indirekt. Çdo vit rreth 200 mijë persona vdesin për shkak të luftërave të vogla midis bandave.

Është e dukshme që forcat ligjzbatuese nuk kanë forca policore për të luftuar organizime të këtij niveli. Pastrimi i parave (si një zinxhir paralel furnizimi me një shpërndarje të krimit të paprecedentë në historinë e koorporatave) i pranishëm në industri të ndryshme si banking, sigurime, ndërtim, energji, farmaceutikë, transport, prokurime qeveritare, tregti ndërkombëtare, biznese me shumicë dhe pakicë e bëjnë punën edhe më të vështirë.

Shpesh fuqitë globale ndikojnë në mbështetje anësore duke ndihmuar në mënyrë të pavullnetshme ose jo, instalimin e karteleve kriminale brenda vendeve. Por edhe kleptokracitë e instaluara formojnë shtete të vogla bandite që kthehen në një hallkë të dobët të ekonomisë globale. Lidhjet tregtare të mafias përmes Evropës-Kanadasë-Australisë-SHBA me prezencë të fortë në Gjermani, Itali, Spanjë, Britani, Irlandë, Hollandë etj., tregojnë që krimi i organizuar është më shumë prezent në perëndimin e zhvilluar se sa një prerogativë (e drejtë e posaçme) e vendeve në zhvillim apo të pazhvilluara ku bëjmë pjesë edhe ne.

Pra bëhet fjalë për një treg mjaftueshmërisht të madh për të kërkuar një formë rregullimi.

Si sfidë e ardhshme, në pamundësi për ta luftuar dhe përballë kërkesës gjithnjë e në rritje, qeveritë e vendeve të zhvilluara (si importuesit kryesorë të drogërave); do të detyrohen ta pranojnë këtë fenomen si dhe të aplikojnë një legjislacion që e trajton këtë si një problem të shëndetit publik, më shumë se sa si një problem të ligjit dhe rendit. Deri atëherë do të dëgjojmë mjaft leksione se si duhet luftuar prodhimi, tranporti dhe shitja e drogërave, por jo konsumimi.