Vendosni fjalën kyçe....

Jeta mes “çobanllëkut” dhe “TikTok”-ut, njihuni me 22-vjeçarin nga Fieri që sot është bariu më i famshëm në vend


Nuk ka mbaruar Akademinë e Barinjve, por në zanat ka hyrë që kur ka filluar të hedhë hapat e parë. Ledion Lici nga Mbrostari i Fierit, sot ëhtë 22 vjec dhe jetën e ndan mes ‘çobanllëkut’ dhe Tik Tokut. Është ndoshta bariu më i njohur në rrjetet sociale, ku ndan me ndjekësit e tij momente nga përditshmëria nëpër fushë.

“Ky është një zanat i trashëguar nga familja. Unë zgjohem çdo ditë në orën 3-4 të mëngjesit dhe sjell delet në fushë. Kam rreth 200 kokë dele. Kohën e lirë rri në Tik Tok, më pëlqen të postoj video nga realiteti im.’’, tregon Ledioni.

Me energjinë dhe humorin që e karakterizon, Ledionit batutat dhe bejtet i vijnë spontanisht.

Mendonit se deri tani kemi treguar gjithçka për Ledionin, por jo. Bariu ynë Ledioni ka ende me ç’tju çudisë. Mos u habisni nëse një ditë nuk e shihni me në tik tok, por në ekranet televizive.

“Gjithmonë e kam pasur ëndërr televizionin. Do të doja të kisha një program timin. Por edhe aktor do më pëlqente të bëhesha një ditë.’’- shprehet Ledioni.

Nëpër fshat dhe Tik Tok, Ledioni njihet me nofken ‘bariu biond me flokë të gjata’. Perveç deleve, flokët e gjata janë dashuria e tij e dytë. Vetëm për një arsye do hiqte dorë nga to.

“Kam 3 vite që i mbaj flokët e gjata. Më pëlqejnë kështu. Nëse një ditë do t’i pres do jetë për t’i dhuruar tek personat e sëmurë me kancer.”- thotë Ledioni.

E teksa flitet për hapjen e Akademise së barinjve, Ledioni profesionist i fushës, na tha se për 72 orë ky zanat është i mësuar e stërmësuar.

Ledionin e gjeni në Tik Tok, duke folur me dashamirësit e tij, duke ndarë eskperienca, e duke inspiruar të rinjtë të krenohen me profesionet që ata kanë zgjedhur.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Abcnews.al