Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmërimi i Ramës: Katet pa leje do u merren dhe do përdoren për strehim apo zyra


Në takimin e sotëm me drejtuesit e Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një operacion për ndërtimet pa leje në gjithë vendin.

Ai tha se të gjitha katet e ndërtuara pa leje, do të konfiskohen apo prishen. Objektet që do të konfiskohen do të përdoren ose për strehim social, ose për zyra institucionesh shtetërore që janë me qira.

Madje kryeministri u bëri thirrje ndërtuesve abuzivë që t’i dhurojnë objektet e tyre para se t’i konfiskohen.

“Më falni por është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në rërë, sa dhe në mes të Tiranës, sa dhe këtu ngjitur me sheshin Skënderbej që vetëm nuk bërtet pallati, ‘shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër’, pa i hyrë gjemb në këmbë. Përkundrazi gjembat më hyjnë mua të parin që jam aksioner me të gjithë këta dhe më pas ju hyjnë atyre në fshat me duart me kallo që i kap me zell të madh policia për një mur avllie pa leje, apo edhe qytetarët që kapen për shtrim pllakash pa leje.

Ky është kontrasti më i neveritshëm që mund të bëhet dhe kërkohet adresim i menjëhershëm dhe i pamëshirshëm qoftë ndaj këtyre pasunarëve që kanë miliona për kate e për llaç e për tulla dhe që duhen zmbrapsur menjëherë, sepse e kanë bërë vijën e ligjit si një litar që kërcejnë me lloj lloj marifetesh, qoftë ndaj punonjësve të policisë që u puthin këmbët pasanikëve për ca lekë të qelbura.

Policia të angazhohet fuqishëm e të mbështesë një operacion bazuar në vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave për shembjen apo konfiskimin për interes publik, për të gjitha sipërfaëqeve në pallate e hotele qendra biznesi të ndërtuara në shkelje të ligjit. Këtë shkruan ligji, por kjo nuk është zbatuar. Ato që do të konfiskohen do të çohen për strehim social apo për mjedise pune për institucionet se kemi ende që janë me qera, paguajnë qera nga taksapaguesit, ndërsa 4 -5 mijë metra janë këtu ngjitur në sheshin Skënderbej në vend perfekt.

Do t’i marrim ose do të na i japin. Këtu do t’i bëj thirrje ndërtuesve të përfshirë në këtë çorbë që mos përdorin klientët si pengje as mos mendojnë se ka rrugëdaljeje tjetër. Flasim për milionerët që ndërtojnë kate pa leje që hapen majtas ose djathtas, shemben ose konfiskohen, plus paguhet gjobë dhe dërgohet për ndjekje penale.

Sot me VKM ju kemi dhënë të drejtën e parablerjes së metrave katror me çmimin real të tregut, jo me atë që deklarojnë atje. I kemi dhënë mundësinë që ta dhurojnë, si një mënyrë për të larë pjesërisht mëkatin, ta dhurojnë për popullin dhe shtetin që ti krijojnë mundësi ligjërimit të objektit që do përdoret për të pastrehët apo për shtetin. Çdo leke që do mblidhet nga parablerja e mundshme, do të shkojë për shpronësime, shpronësimet tek unaza e re duan lekë. Këto lekët këtu nuk mjaftojnë për të gjithë, por do përdoren.

Një gjë është e sigurt ata do bllokojnë veten e tyre dhe do shuhen si aktorë ekonomikë do kenë pasoja të rënda më shumë sesa dhurimi i kateve shtesë që nuk i takojnë, por ja kanë marrë qiellit dhe hapësirës që nuk është e tyre.”– tha Rama.