Vendosni fjalën kyçe....

Rama i cakton detyrën drejtorit të ri të Policisë së Shtetit: Jepi fund dilemës për fatin e Ervis Martinajt, u vra apo s’u vra


Në takimin e sotëm me drejtuesit e Policisë, kryeministri Edi Rama u ka kërkuar llogari për rastin e zhdukjes së të ashtuquajturit si “mbreti i Lojërave të Fatit” Ervis Martinajt, duke folur kështu për herë të parë lidhur me këtë çështje.

Po ashtu i dha detyrë drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut, që t’i japë fund kësaj dileme.

“Gushti që na solli këtu ku jemi sot së bashku, ishte një befasi alarmuese. Një situatë e rënduar jo vetëm me vrasje, por edhe me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht se krahasimisht me vitet e mëparshme në aspektin statistikor me gjithë vrasjet e gushtit, ky vazhdon të jetë viti me numrin më të ulët, por me një diferencë më të vogël tashmë me vitet e mëparshme.

Kjo nuk e ndryshon faktin se ky gusht dhe gjithçka ka ndodhur në këtë gusht, duhet të shërbejë si shuplakë për t’u ngritur në këmbë dhe për të vrapuar drejt objektivave shumë më ambicioz për policinë e shtetit.

A është e mundur dhe si është e mundur, përshembull që Policia e Shtetit akoma edhe sot që flasim nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Unë s’e kam dëgjuar.

Është e papranueshme që me javë të tëra, mëngjeset dhe darkat e shqiptarëve, ekran më ekran, dhe faqe më faqe janë bërë si një ‘Big Brother’ i kronikës së zezë. Jo u vra, jo s’u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga drejtësia dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj-lloj legjendash me luanë, me bamirësa, me oligarkë, shto ujë e shto miell, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të historisë së krimit shqiptar. Dhe Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nujk u vra. Kush e ka penguar ta thotë? Drejtori i ri i Policisë së Shtetit që merr sot detyrën si një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë në shkallët e karrierës policore duhet të sigurohet dhe të sigurojë që kjo dilemë të marrë fund sa më parë. Dhe nëse i kërkuari është vrarë, t’i thuhet publikkut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë, të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë.“- tha Rama.

Kjo është hera e parë që Rama flet për zhdukjen e biznesmenit të shumëkërkuar Ervis Martinajt.

Më 11 gusht Prokuroria e Kurbinit ka regjistruar hetim për rrëmbim personi pas një denoncimi të bërë me datë 10 gusht nga xhaxhai i Ervis Martinajt i cili dyshonte se nipit të tij mund t’i kishte ndodhur diçka e keqe.

Në kuadër të këtij hetimi pas disa pamjeve filmike nga Durrësi, u ndalua ndihmësspecialisti në skuadrën Operacionale Jeton Lami, i cili u zbulua se kishte shoqëruar të shumëkërkuarin dhe e kishte ndihmuar atë t’u fshihej autoriteteve. Pas 1 muaj nga denoncimi, ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn, është rrëmbyer, është vrarë apo zhdukja e tij ka qenë e inskenuar nga ai vetë.