Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Sulmi kibernetik u orkestrua e sponsorizua nga Irani, ndërpresim menjëherë marrëdhëniet diplomatike


Kryeministri Rama ka thënë në një deklaratë të jashtëzakonshme se sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë më 15 korrik është orkestruar dhe sponsorizuar nga Irani.

Teksa pohoi se sulmi kibernetik kishte dështuar kreu i qeverisë theksoi së në sulm ishin përfshirë katër grupe famëkeqe për sulmet kibernetike me njërin që është përfshirë në sulme të mëhershme ndaj Izraelit, Arabisë Saudite, Emirateve Arabe, Jordanisë, Kuvajtit e Qipros.

“Të dashur qytetarë, 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi kibernetik. Që kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Shqipërisë, paralizimin e shërbimeve publike dhe grabitjen e të dhënave dhe komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare. Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorit dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u vunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim. Për javë të tëra u punua paralelisht ditë e natë, qoftë për rivënien në punë të të gjitha sistemeve, qoftë për hetimin e thellë për gjetjen e agresorit. Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të antiterrorit dixhital që sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht pa asnjë hije dyshimi se sulmi i 15 korrikut nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik po një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicioin prova të pakundërshtueshme se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit. Ajo ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike ndaj Izraelit, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara, Jordaninë, Kuvajtin e Qipron. Ne kemi informuar aletatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë.” – tha Rama.

Më tej kryeministri Rama tha se Shqipëria ka vendosur të ndërprerë menjëherë marrëdhëniet diplomatike m Iranin dhe i ka kërkuar personelit të ambasadës që të largohet nga Shqipëria brenda 24 orëve.

“Nisur nga sa më lart, Këshilli i Ministrave ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Ky vendim është bërë i ditur me notë zyrtare ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, së cilës i është kërkuar largimi i menjëhershëm brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik e tekniko-administrativ përfshirë edhe personelin e sigurisë. Kjo masë ekstreme aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar është në proporcion të drejtë me seriozitetitn e rrezikshmërinë e sulmit kibernetik që rrezikoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vendin tonë. Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na janë bashkuar në këtë luftë nuk është fundi i kërcënimit kibernetik por është thjesht prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit dixhital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë, si duhet ta bëjmë  për të mos na prekur dot askush ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura edhe sepse kemi partnerët e duhur.” – mbylli kryeministri deklaratën.