Vendosni fjalën kyçe....

Seriali për fëmijë “Peppa Pig” prezanton çiftin e parë gay


Peppa Pig është padyshim një nga kafshët vizatimore më të njohura dhe më të dashura në botë nga fëmijët. Seriali vizatimor dedikuar parashkollorëve dhe shumë i ndjekur në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Australi dhe Amerikën Latine, ka vendosur të prezantojë çiftin e parë të të njëjtit seks.

Gjatë një episodi të titulluar “Families” apo “Familjet”, i cili u transmetua për herë të parë të martën në Channel 5 në Mbretërinë e Bashkuar, personazhi kryesor Peppa Pig u prezantua me dy mamatë e shoqes së saj Penny Polar Bear.

Ndërsa vizatonte një portret të familjes së saj, Penny shpjegonte: “Unë jetoj me mamanë time dhe mamanë time tjetër. Një mami është mjeke dhe një mami gatuan spageti.”

Programi, i krijuar nga animatorët britanikë Mark Baker dhe Neville Astley, ka nisur që nga viti 2004. Kjo është hera e parë në historinë e tij 18-vjeçare (me 7 sezone të transmetuara gjithsej në këto vite), që një çift i të njëjtit seks është paraqitur në program.

Ky ndryshim vjen vetëm dy vjet pasi u krijua një peticion në një faqe interneti me bazë në SHBA, që kërkonte një “familje prindërore të të njëjtit seks në Peppa Pig”. Peticioni në fjalë ka mbledhur pothuajse 24 mijë nënshkrime.

“Fëmijët që shikojnë Peppa Pig janë në një moshë mbresëlënëse.”– kanë shkruar krijuesit e peticionit. “Përjashtimi i familjeve të të njëjtit seks do t’u mësojë atyre se vetëm familjet me një prind të vetëm ose dy prindër të sekseve të ndryshme janë normale.”

Robbie de Santos, drejtor i komunikimit dhe i marrëdhënieve të jashtme në organizatën bamirëse të të drejtave LGBT “Stonewall”, e përshkroi këtë episod si “fantastik”.

“Shumë nga ata që e shikojnë shfaqjen do të kenë vetë dy nëna ose dy baballarë dhe do të thotë shumë për prindërit dhe fëmijët që përvojat e tyre po përfaqësohen në një program kaq ikonik për fëmijë.”– tha ai për BBC.

Peppa Pig nuk është aspak programi i parë për fëmijë që paraqet çifte të të njëjtit seks. Filmi vizatimor amerikan “Arthur”, për fëmijët katër deri në tetë vjeç, në vitin 2019 shfaqi një martesë homoseksuale gjatë serisë së saj të 22-të.