Pas takimit të sotëm me ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim, nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka zbuluar se çfarë ka biseduar me të.
Gjekmarkaj thotë se gjatë takimit janë shkëmbyer mendime për sfidat demokratike dhe betejat e opozitës.
“Një takim miqësor e shumë domethënës sot me Ambasadoren e SHBA, Zonjën Juri Kim në fillim të stinës së re parlamentare.
Shkëmbyem mendime për sfidat demokratike dhe betejat opozitare si dhe rëndësinë jetike të konsolidimit të mërdhezjeve me aleatin tonë strategjik ku gjithsekush në politiken shqiptare duhet të ndiejë përgjumësinë e vet.
Legjitimiteti i institucioneve është kusht i panegociueshem për konsolidimin e sistemit demokratik dhe progresin e reformave.”- tha Gjekmarkaj.
Me ambasadoren Kim u takua edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Kryesia e Kuvendit gjithashtu ka publikuar një njoftim për mediat lidhur me takimin.
“Gjatë takimit u bisedua mbi prioritetet e sesionit të ri parlamentar dhe fuqizimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ambasadorja Kim i uroi Kryetares Nikolla një sesion të ri parlamentar të suksesshëm.
Kryetarja Lindita Nikolla dhe Ambasadorja Yuri Kim diskutuan mbi prioritetet e sesionit të ri parlamentar, në veçanti mbi rritjen e kontributit të Kuvendit në procesin e integrimit evropian, mbështetjen e reformave për demokratizimin e jetës së vendit, rritjen e integritetit të institucioneve politike si edhe vijimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”- thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Më herët ambasadorja Kim menjëherë pas takimit, tha në një prononcim për mediat se takimi erdhi në vijim të traditës që është bërë tani për diplomatët amerikanë në nisje të çdo sesioni parlamentar.