Vendosni fjalën kyçe....

Vendet e Gjirit i kërkojnë Netflix të heqë ‘përmbajtjet fyese’: Shfaqjet LGBTQ, mbulesë kinematografike për mesazhe imorale


Disa vende Arabe të Gjirit kanë kërkuar që Netflix të heqë disa nga ‘përmbajtjet fyese’ nga shërbimi i transmetimit duke përmendur një shkelje të ‘vlerave’ të tij.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga Komiteti i Mediave Elektronike, këshilli prej gjashtë vendesh tha se disa shfaqje dhe filma në platformë ‘shkelnin vlerat dhe parimet islame dhe shoqërore’.

Komiteti i këshillit kërkoi gjithashtu që shërbimi i transmetimit të hiqte përmbajtjen ‘që u drejtohet fëmijëve dhe të sigurojë respektimin e ligjeve’.

“Në rast se përmbajtja shkelëse vazhdon të jetë e disponueshme, do të merren masat e nevojshme ligjore.” – thuhet gjithashtu në deklaratë po pa hollësi të mëtejshme.

Vendet që nënshkruan deklaratën përfshinin Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Kuvajtin, Omanin dhe Katarin.

Televizioni saudit Al Ekhbariya TV tha se përplasja me Netflix vjen pasi platforma ka shfaqur më hapur përmbajtje homoseksuale dhe lezbike.

Media akuzoi Netflix-in se ishte ‘mbulesë kinematografike për mesazhet imorale që kërcënojnë edukimin e shëndetshëm të fëmijëve’, raportoi BBC.

Al Ekhbariya tha gjithashtu se platforma nxiti ‘homoseksualitetin duke u përqendruar tepër te homoseksualët’.

Gjatë mbulimit të lajmeve, televizioni saudit transmetoi një skenë nga një shfaqje e animuar e Jurassic Park, e shitur për fëmijë, e cila paraqet një skenë puthjeje mes dy prej personazheve femra.

Thirrja për të hequr përmbajtjen vjen pasi disa vende në të njëjtin rajon e kundërshtuan Disney-n për një skenë ku shfaqeshin lezbiket në filmin e ri ‘Lightyear’. Disney iu përgjigj polemikave duke thënë se publikimi i përmbajtjes së tij do pasqyronte vlerat lokale.

E gjithë ‘përmbajtja e disponueshme duhet të përputhet me kërkesat rregullatore lokale’, tha kompania.

Netflix ende nuk e ka adresuar kërkesën megjithatë, ajo ka përmbushur më parë kërkesa të tilla.

Në vitin 2019, shërbimi i transmetimit hoqi një episod në Arabinë Saudite teksa shfaqte një komedian që kritikonte princin e kurorës saudit Mohammed bin Salman. Netflix tha se vendimi ishte i ligjshëm dhe jo për shkak të përmbajtjes së tij.