Në vitin 2021, kompania me pronësi shtetërore “Albcontrol”, që menaxhon trafikun ajror, u vu në vështirësi likuiditeti për shkak se të ardhurat e saj janë bllokuar në llogarinë e saj në Bruksel nga Eurocontrol (organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian).
Në raportin vjetor të vitit 2021 të “Albcontrol” thuhet: “Të ardhurat e shoqërisë për vitin 2021 reflektojnë të ardhurat nga aktiviteti normal i saj , ulje ngritje e mbikalime, por këto janë të ardhura të bllokuara në llogarinë e saj në Bruksel, duke sjellë vështirësinë e përballjes me mungesën e likuiditetit përgjatë vitit për shoqërinë”.
Sipas raportit, gjatë periudhës Janar- Dhjetor 2021, nga aktiviteti i “Mbikalime & ulje ngritje”, është arkëtuar e duhet të ishte në dispozicion të shoqërisë për të plotësuar detyrimet e programit, shuma me vlerë neto 20.98 milionë euro, ose 2.57 miliardë lekë.
“Shoqëria gjatë kësaj periudhe është përballur me vështirësinë për likuiditet si pasojë e pamundësisë së përdorimit të fondeve në llogarite e saj bankare jashtë vendit, duke ndikuar në frenimin e një ecurie normale të punës së saj. Në pamundësinë e shfrytëzimit të fondeve të saj si dhe në kushtet e pasojave të rënda që ka reflektuar pandemia në fushën e aviacionit, janë ndjekur gjithashtu rekomandimet nga EUROCONTROL, që prej fillimit të pandemisë, ku rekomandohej marrja e masave për menaxhimin e kujdesshëm të shpenzimeve në mënyrë që të përballonim skenarët e paparashikuar gjatë pandemisë, Kompania ka reduktuar pjesën më të madhe të shpenzimeve për këtë 12 mujor duke u përpjekur të mbulojë vetëm shpenzimet më të nevojshme për ecurinë e punës, pa cenuar parrezikshmërinë, duke u bazuar në të gjitha burimet qe ajo ka patur në dispozicion”, thuhet në raportin vjetor.
Sipas bilancit, të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të ardhurat totale të Albcontrol ishin 2.73 miliardë lekë në vitin 2021, me rritje 56% në raport me 2020-n, kur kompania vuajti pasojat e pandemisë që çoi në pezullimin e fluturimeve për disa muaj dhe reduktimin e tyre përgjatë gjithë vitit.
Në 2021-n, Albcontrol iu rikthye fitimeve, që ishin 531 milionë lekë, nga -551 milionë lekë humbje vitin e mëparshëm.
Sipas raportit vjetor, shoqeria “ALBCONTROL” SHA i ka shërbyer në total 153.772 avionëve (sipas statistikave të EUROCONTROL). Numri total fluturimeve, i krahasuar me programin e miratuar, u realizua në masën 87%. Te ardhurat e kompanisë nga aktiviteti i saj janë të depozituara në EUROCONTROL, Bruksel nga dhjetori i vitit 2020.
Çështja Becchetti dhe bllokimi i llogarive
Në raportin vjetor të Albcontrol nuk përmendet arsyeja e bllokimit të llogarive, por ky bllokim është i lidhur me konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti.
Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh.
Vendimi është i formës së prerë dhe sipas mediave ndërkombëtare , investitori ka synuar mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, ndërkohë që qeveria thekson se beteja ende nuk ka mbaruar.
Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë.
Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës, kur u ballokuan asetetet e Francesco Becchetti-t. Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel pas së cilës u kap edhe thelbi i çështjes që shkoi në Arbitrazh.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor