Vendosni fjalën kyçe....

Ishin në karaoke, zjarri u merr jetën 32 personave në Vietnam


Një zjarr u ka marrë jetën të paktën 32 personave në një kompleks karaoke në Vietnamin jugor, pranë qytetit Ho Chi Minh. Shumë të tjerë thuhet se janë plagosur.

BBC shkruan se zjarri ka rënë në katin e sipërm të lokalit mbrëmjen e së martës, duke bllokuar klientët dhe stafin brenda.

Për të shpëtuar, katër persona u hodhën nga kati i dytë dhe i tretë. Ata u plagosën por mbijetuan.

Gazeta Cong An Nhan Dan, raportoi se 32 persona tani u konfirmuan se kishin humbur jetën, duke përfshirë 17 burra dhe 15 gra. Kërkimi për viktima ka përfunduar. Sipas ministrisë së sigurisë publike, ishin rreth 60 persona në lokal kur shpërtheu zjarri.

“Zjarri filloi në katin e dytë të lokalit dhe u përhap me shpejtësi në katin e tretë, i cili ishte i mbushur me materiale të ndezshme.”– thuhet në një deklaratë.

Një zyrtar i lartë i Partisë Komuniste në pushtet në provincën Binh Duong në veri të qytetit Ho Chi Minh, ku ndodhet lokali, kishte thënë më herët se numri i të vdekurve ishte 23, ndërsa i të plagosurve 11.

Bar karaoke An Phu zinte një ndërtesë me përmasa të konsiderueshme me 29 dhoma. Media shtetërore raportoi se trupat e tetë personave u gjetën në tualete.

Rreth një e treta e ndërtesës ishte djegur. Ajo kishte disa dekorime prej druri, raportoi BBC Vietnamese.

Ky incident është më vdekjeprurësi në një seri zjarresh në bare karaoke që kanë ndodhur në Vietnam në vitet e fundit, duke ngritur shqetësime për standardet e dobëta të sigurisë. Muajin e kaluar, tre zjarrfikës vdiqën teksa po përpiqeshin të shuanin zjarrin në një lokal karaoke në kryeqytetin Hanoi. Në vitin 2016, një zjarr në një tjetër sallë pritjeje karaoke në Hanoi la të vdekur 13 persona.