Vendosni fjalën kyçe....

Mjekët të shqetësuar për shëndetin e mbretëreshës Elizabeth II, po e mbajnë nën mbikëqyrje


Mbretëresha Elizabeth II është vënë nën mbikëqyrjen mjekësore në Balmoral, pasi mjekët janë të shqetësuar për shëndetin e saj. Kështu ka njoftuar sot Buckingham Palace.

“Pas vlerësimit të mëtejshëm këtë mëngjes, mjekët e Mbretëreshës janë të shqetësuar për shëndetin e Madhërisë së Saj dhe kanë rekomanduar që ajo të mbetet nën mbikëqyrjen mjekësore.”– thuhet në deklaratë sipas BBC-së.

“Mbretëresha mbetet rehat dhe në Balmoral.”

I biri i saj princi Charles tani është me të, po ashtu edhe nipi Duka i Kembrixhit është rrugës për ta takuar.

Në Balmoral ka udhëtuar edhe Dukesha e Cornwall-it, Camille.

Njoftimi vjen pasi Mbretëresha 96 vjeçare, u tërhoq nga një takim virtual të mërkurën, pasi mjekët e këshilluan atë të pushonte.

Siç shkruan BBC, kryeministrja Liz Truss tha se “i gjithë vendi” është “thellësisht i shqetësuar” nga lajmet.

“Mendimet e mia – dhe mendimet e njerëzve në mbarë Mbretërinë tonë të Bashkuar – janë me Madhërinë e saj Mbretëreshën dhe familjen e saj në këtë kohë.”– shtoi ajo.

Vetëm dy ditë më parë, mbretëresha e emëroi zonjën Truss si kryeministre në Balmoral, në vend që të udhëtonte për në Londër për ngjarjen.