Vendosni fjalën kyçe....

“Mund të gjendemi në luftë me Rusinë brenda 10 vitesh” – Zv.ministri polak


Polonia mund të gjendet në një konflikt ushtarak me Rusinë brenda tre deri në dhjetë vjet, tha zëvendësministri i Mbrojtjes Marcin Ociepa për gazetën polake DGP në një intervistë të botuar të mërkurën. Varshavës do t’i duhet koha e mbetur para luftës së supozuar për të marrë sa më shumë armë të jetë e mundur, shtoi ai.

“Ekziston një rrezik serioz i një lufte me Rusinë.” – tha Ociepa, duke shtuar se koha e kësaj lufte të mundshme varet ‘nga mënyra se si përfundon konflikti në Ukrainë’. Sipas zyrtarit, në fund do varet nga ‘sa vite Rusisë do t’i duhen për të rindërtuar potencialin e saj ushtarak’. Ai nuk identifikoi ndonjë faktor shtesë që mund të rriste ose zvogëlonte rrezikun e një konflikti.

Ociepa e ngriti çështjen ndërsa përshkroi ‘realitetin gjeopolitik’ që gjoja po e detyronte Poloninë të rriste me shpejtësi potencialin e saj të mbrojtjes.

“Ne duhet ta përdorim këtë kohë për riarmatimin maksimal të ushtrisë polake.” – i tha ai gazetës, ndërsa mbrojti atë që media polake e quajti një buxhet ‘rekord’ të mbrojtjes, i shtuar nga disa shpenzime shtesë ‘të papërcaktuara’.

Projektbuxheti i shtetit të Polonisë për vitin e ardhshëm përfshin shpenzime rekord për forcat e armatosura, që arrijnë në 97 miliardë zloty (20.52 miliardë dollarë), tha agjencia e lajmeve PAP e Polonisë. Disa fonde shtesë për modernizimin e ushtrisë do mblidhen përmes Fondit Mbështetës të Forcave të Armatosura jashtëbuxhetore të menaxhuar nga banka shtetërore polake BGK, shtoi ai.

Sipas deklaratave të qeverisë polake, fondi i krijuar pranverën e kaluar pranon ‘dhurata’ nga kushdo që është i gatshëm të ‘japë një ndihmë’ në mbrojtjen e Polonisë. Sipas Ociepa, fondi mund të arrijë në rreth 30-40 miliardë zloty (6.36 miliardë dollarë deri në 8.48 miliardë dollarë).

Polonia ka qenë një nga mbështetësit më të vendosur të Kievit që nga fillimi i konfliktit dhe gjithashtu ka mbajtur një qëndrim të ashpër për marrëdhëniet me Moskën. Në veçanti, ajo ndaloi lëshimin e vizave për qytetarët rusë dhe ishte një nga anëtarët e BE-së që mbrojti një ndalim të vizave në mbarë bllokun për rusët.