Vendosni fjalën kyçe....

Nicolas Cage dhe gruaja e tij bëhen prindër të një vajze


Nicolas Cage është bërë përsëri baba. Aktori i njohur 58-vjeçar dhe gruaja e tij artiste Riko Shibata, 27 vjeçe, të mërkurën mirëpritën në jetë fëmijën e tyre të parë së bashku, një vajzë të cilën e kanë quajtur August Francesca Coppola Cage.

“Nicolas dhe Riko janë të lumtur të njoftojnë lindjen e vajzës së tyre.”- tha përfaqësuesi i çiftit për revistën PEOPLE. Ai shtoi: “Nëna dhe vajza janë mirë”.

Vogëlushja është fëmija i parë i Shibatas dhe i treti për Cage, pasi ai tashmë është baba i dy djemve Kal-El (16 vjeç) dhe Weston (31-vjeç) nga lidhjet e mëparshme.

Në fillim të këtij viti, aktori tha se është “jashtëzakonisht i emocionuar” që do të bëhet sërish baba.

“Djemtë e mi janë të gjithë të rritur dhe më mungon të shkoj në dyqan lodrash. Më mungon të këndoj ninulla dhe të lëkundem në karrigen lëkundëse.”– tha ai në fillim të këtij muaji. “Mezi pres që t’i rikthehem kësaj.”

Fituesi i çmimit Oskarit u martua me Rikon në 16 shkurt të vitit të kaluar, në një ceremoni shumë të vogël dhe intime në hotelin Wynn në Las Vegas. Në atë datë do të ishte edhe ditëlindja e babait të tij të ndjerë.

Përpara se të njihej me Riko Shibatën, Nicolas Cage ka qenë i martuar katër herë të tjera më parë. Gruaja e tij e parë ishte aktorja Patricia Arquette, me të cilën u martua në prill 1995 dhe u divorcua në 2001. E dyta ishte Lisa Marie Presley, vajza e Elvis Presley.

Gruaja e tretë ishte Alice Kim. Në mars 2019, Cage u martua me Erika Koike në Las Vegas, vetëm për të kërkuar një anulim të martesës katër ditë më vonë.