Vendosni fjalën kyçe....

Nis nga Farka aksioni i paralajmëruar nga Rama për konfiskimin e kateve shtesë pa leje


Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka nisur zbatimi i vendimit të qeverisë për konfiskimin e pallateve pa leje.

Rama shpërndau në faqen e tij në “Facebook” një video ku tregohet se është konfiskuar pallati 9 kate në Farkë që u denoncua një ditë më parë nga ai se kishte kate pa leje.

“Nis OPERACIONI I KONFISKIMIT të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit! Ndërtuesit mund t’i parablejnë ato me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut dhe paratë e përfituara do të derdhen në fondin e shpronësimeve të Unazës së Re ose mund t’i dhurojnë, që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet. Ndërkohë për të gjitha rastet ka edhe një gjobë për çdo metër katror dhe për rastet kur ndërtuesi nuk pranon opsionet parablerje apo dhuratë që çojnë në ligjërimin e shtesave për arsye sociale, ai ndiqet edhe penalisht sipas ligjit.”- shkruan Rama krahas videos.

Në këtë video shfaqet zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë, Belinda Balluku. Ajo ishte e shoqëruar nga drejtoresha e IKMT-së dhe drejtori i Policisë.

“Ndodhemi në Farkë ky është komunikimi i parë publik që ne po bëjmë sa i përket vendimit që u mor me VKM, është një VKM që ka të bëjë më ndërtimet pa leje që do të konfiskohen dhe përdorim në të mirë publikut. Ky është një shembull pse kemi zgjedhur të vijë në Farkë dhe të zgjedhim këtë ndërtese. simbolikë e shklejes së ligjit 7 kate mbi tokë, 9 kate ndërtim pa ansjë letër. Sesi kjo ka ndodh është një mister për ne.”– tha ajo.

Ministrja shtoi se ndërtuesit mund t’i parablejnë katet apo metrat pa leje me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut dhe paratë e përfituara do të derdhen në fondin e shpronësimeve të Unazës së Re. Po ashtu ajo tha se investitori mund të zgjedhë dhe t’i dhurojë, që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet. Balluku paralajmëron se aksioni i nisur nga Tirana do shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.