Kryeministri Rama ka prezantuar sot paketën e dytë antikrizë. Ai tha se paketa do jetë një mbështetje afatmesme ndërsa përmendi disa nga masat që do jenë pjesë e ndihmës.
Kreu i qeverisë theksoi se do ketë indeksim pensionesh për pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara.
Po kështu do ketë rritje me 10% të ndihmës ekonomike dhe dyfishim të ndihmës ekonomike për gratë familjare me dy fëmijë.
“Paketa është konceptuar si një mbështetje afatmesme, jo si një mbështetje e përkohshme, e shtrirë në një, dy apo tre muaj që do të thotë se kemi marrë në konsideratë faktin që kjo krizë është e një natyre të paparashikueshme për kur e ka fundin e saj dhe angazhimi ynë është që t’u japim njerëzve tanë një mbështetje afatmesme, të qëndrueshme dhe të ndërhyjmë në një sërë drejtimesh. Për pensionet, indeksohen zakonisht një herë në vit, kjo ndodh në muajin prill. Duke marrë parasysh edhe efektin e inflacionit janë indeksuar edhe këtë vit por për herë të parë do të riindeksohen. Do të riindeksohen të llogaritur me normën e inflacionit që shkon në 6% duke u nisur nga indeksimi i mëparshëm dhe në 9.5% si indeksim tërësor i këtij viti. Kjo do të ndodhë edhe për personat me aftësi të kufizuar që kemi indeksimin e përvitshëm. Bëjmë ndërhyrje me indeksim 7.5% për të gjithë personat me aftësi të kufizuar. Do të rrisim me 10% ndihmën ekonomike dhe do ta dyfishojmë ndihmën ekonomike për gratë familjare me 2 fëmijë. Të gjitha gratë që janë në kushtet e papunësisë, do të marrin një ndihmë ekonomike të dyfishuar.” – tha Rama.