Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë, Shtëpia e Bardhë: Irani do mbajë përgjegjësi, do punojmë në këtë drejtim


SHBA-ja ka shprehur edhe njëherë mbështetjen për Shqipërinë lidhur me sulmin kibernetik të 15 korrikut ku u paralizuan për disa ditë platforma e qeverisë shqiptare.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean Pierre ka thënë se Irani duhet të vihet para përgjegjësisë lidhur me sulmin kibernetik ndërsa shtoi se Uashingtoni do punojë me Tiranën për forcimin e sigurisë kibernetike.

“Roli ynë është të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të vënë para përgjegjësisë Iranin dhe të punojmë me Shqipërinë për të përforcuar sigurinë e saj kibernetike, si dhe të fuqizojmë normat e sjelljes së përgjegjshme shtetërore në hapësirën kibernetike. Kjo është ajo që do bëjmë. Aleatët në NATO i marrin vetë vendimet e tyre sovrane se si t’i kundërpërgjigjen sulmeve kibernetike, përfshirë nëse do përdorin Artikullin 5, pasi e di që njerëzit kanë pyetur rreth tij,  por kjo i takon aleatëve në NATO. Është një proces i shumëfishtë përpara se ne mund të aktivizojmë Artikullin 5, pra edhe njëherë, kjo është një çështje që aleatët në NATO do e diskutojnë.” – tha Jean Pierre.

Kryeministri Rama tha dje në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp se pas hetimit të thelluar ishte zbuluar se sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë ishte orkestruar e sponsorizuar nga Irani.

Pas kësaj ai njoftoi ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomastike me Iranin dhe i dha kohë ambasadës iraniane në Tiranë që të largohet nga vendi brenda 24 orësh.