Lajmi se mbretëresha Elizabeth II ndodhet nën mbikqyrjen e stafit mjekësor i ka shqetësuar qytetarët britanikë, të cilët kanë nisur të mblidhen mes lotësh para Pallatit Mbretëror.
BBC ka publikuar disa fotografi që tregojnë se njerëzit kanë nisur të mblidhen të shqetësuar për shëndetin e mbretëreshës, për shkak se njoftimi i sotëm i Pallatit Mbretëror nuk u dukej i zakonshëm.
Pallati Buckingham vetëm pas orës 12:30 të pasdites së sotme, publikoi një deklaratë duke thënë se mjekët e Mbretëreshës ishin të shqetësuar për shëndetin e saj, duke rekomanduar që ajo të mbetej nën mbikëqyrjen mjekësore (lexo këtu).
Menjëherë pas kësaj, qarkulluan lajme se të gjithë fëmijët e Mbretëreshës ose ishin tashmë me të në kështjellën Balmoral në Skoci ose po udhëtonin për të qenë pranë saj.
Princi Charles, Camilla dhe Princesha Anne thuhet se janë në Balmoral. Princi William, nipi më i madh i Mbretëreshës dhe i dyti në radhën e fronit, është duke shkuar atje, ndërsa gruaja e tij Kate, Dukesha e Kembrixhit, ka qëndruar në Windsor pasi fëmijët e saj janë në ditën e parë të plotë në shkollën e tyre të re.
Vëllai i Princit William, Princi Harry dhe gruaja e tij Meghan kishin qenë në Britaninë e Madhe ditët e fundit dhe tani thuhet se po udhëtojnë edhe në Skoci.
BBC tha se shtatë anëtarë të familjes mbretërore kanë zbritur në aeroportin e Aberdeen, mes të cilëve thuhet se ishte duka i Kembrixhit, Duka i Jorkut si dhe Konti dhe Kontesha e Wessex-it. Ata u panë duke zbritur nga avioni dhe duke u futur në makinë, për të shkuar më pas në kështjellën ku po qëndron mbretëresha.