Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa kërkon interpelancë me Margaritin mbi përzgjedhjen e Richard Hodges në Bordin e Parkut të Butrintit, socialistët e rrëzojnë


Deputetja e PD-së Ina Zhupa kërkoi interpelancë me ministren e Kulturës Margariti mbi përzgjedhjen e Richard Hodges në bordin për Parkun Kombëtar të Butrintit, kërkesë që u rrëzua nga socialistët.

Gjatë fjalës së saj, Zhupa, shfaqi një video ku tregohej ministrja Margariti në emisionin ‘Opinion’ duke pohuar se Ministria e Kulturës kishte përzgjedhur Richard Hodges si përfaqësues të shtetit shqiptar në Parkun e Butrintit.

Hodges është shfaqur në disa video të viteve më parë duke deklaruar se Shqipëria është shtet artificial pa pasur asnjë shqiptar, nga anglezët e fuqitë e tjera pas Luftës Ballkanike. Po kështu ai ka pohuar se Butrinti i është dhënë Shqipërisë pa të drejtë nga Fuqitë e Mëdha duke larguar që andej popullatën greke, të cilët u përzunë sipas tij në Greqi.

“Nga gjashtë propozime ministrja e Kulturës zgjodhi Richard Hodges për Parkun Kombëtar të Butrintit. Le të vijë ministrja të na thotë si dhe pse u përzgjodh z.Hodges. çfarë thanë ata të tjerët. Apo vetëm ngaqë ka qenë këshilltar i Kryeminstrit Rama në kohën kur ka qenë ministër Kulture. Butrinti nuk mund të hidhet poshtë nga një personazh si Hodges që ka ardhur këtu në vitin 1994. Hodges ka të drejtën e vet të ketë mendimet e tij për Butrintin por ne duhet të gjykojmë nëse z.Hodhes të jetë përfaqësues i shtetit shqiptar në bordin për Parkun e Butrintit. Duhet të tërhiqeni të dashur deputetë nga caktimi i Richard Hodges si përfaqësues të shtetit shqiptar, i cili njihet për deklaratat që ka bërë kundër Shqipërisë.”­ – tha Zhupa.