Vendosni fjalën kyçe....

19-vjeçari në SHBA vret katër persona dhe e transmeton drejtpërdrejt


Policia në Memphis, në shtetin amerikan të Tenesit, ka arrestuar një të dyshuar, i cili dyshohet se kaloi orë të tëra duke lëvizur me makinë nëpër qytet duke qëlluar mbi njerëzit ndërsa transmetonte drejtpërdrejt veprimet e tij vdekjeprurëse.

Të shtënat dhe grabitjet e makinave filluan pas mesnatës së të mërkurës dhe përfunduan kur i dyshuari u kap nga oficerët pas një ndjekjeje me shpejtësi të lartë, e cila filloi rreth orës 21:00, sipas shefit të policisë së Memphisit, Cerelyn CJ Davis.

I dyshuari mashkull me ngjyrë është identifikuar si Ezekiel Kelly, 19 vjeç. Gjatë ditës, ai dyshohet se vrau katër persona dhe plagosi tre të tjerë, njëri prej tyre në gjendje kritike, tha policia. Ai akuzohet edhe për grabitje të disa automjeteve.

Autori i armatosur transmetoi drejtpërdrejt disa pjesë të tërbimit në Facebook dhe Instagram, raportuan mediat vendase.

Një nga videot e transmetuara nga Kelly duket se e tregon atë duke hyrë në një dyqan AutoZone dhe duke qëlluar një burrë. Autoritetet lëshuan një alarm për banorët që të mos dilnin në rrugë pas incidentit të AutoZone, që ishte të shtënat e katërt. Kelly thuhet se e përplasi makinën e fundit që vodhi pasi u ndoq nga oficerët për rreth gjysmë ore.

Kelly ka një histori kriminale, tha kryebashkiaku i Memphis, Jim Strickland gjatë një konference për shtyp. Ai u akuzua për vrasje të shkallës së parë dhe u deklarua fajtor në prill 2021. Ai u dënua me tre vjet burg, nga të cilat kreu vetëm 11 muaj dhe u lirua në fund të marsit të këtij viti.

“Nëse z. Kelly do vuante dënimin e tij të plotë trevjeçar, ai do të ishte ende në burg sot dhe katër nga bashkëqytetarët tanë do të ishin ende gjallë.” – theksoi kryebashkiaku.